Aplikacion
Më 1 nëntor 2019, një atentat ndodhi në mbikalimin e Shkozetit, ku u tentua të ekzekutohej prokurori Arjan Ndoja, bashkë me Landi Muharremin, i njohur si “Rrumi”.
Përmes një operacioni policor për ngjarjen kriminale në fjalë, ditën e sotme, krahas 4 personave të tjerë, në pranga ra edhe Akil Nerjaku, kundërshtari i përbetuar i Muharremit.
Akil (Gentian) Nerjaku nuk është një emër i panjohur në botën e krimit. Vetëm pak muaj më parë, Nerjaku i shpëtoi një atentati me snajper në Durrës. Një bandë e mirëpërgatitur zbarkoi në lagjen nr.13 në plazhin e Durrësit për të ekzekutuar Nerjakun, mesditën e 12 shtatorit. Ata mendohet të kenë qenë pesë persona dhe të gjithë të veshur me të zeza e me kapuçë në kokë.
Të futur brenda një furgoni, në dukje si transportues mallrash, atentatorët u ndalën në rrugën ku ishin informuar se ndodhej shënjestra e tyre dhe qëlluan. Një tek plumb do të ishte mjaftueshëm nëse do të kishin pasur shënjestër, por gabuan. Plumbi përfundoi në makinën e një pushuesi nga Maqedonia e Veriut, i cili kishte zgjedhur bregdetin e Durrësit për të pushuar, por u gjend në kohën dhe vendin e gabuar më 12 shtator.
Në të njëjtin moment dhe në të njëjtin vend ku ishte parkuar makina, Nerjaku ishte duke lëvizur me automjet Mercedez Benz. Ngjarja kaloi pa dëme, por as nuk u zbardh, pasi deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar për këtë atentat.
Nerjaku rezulton i prangosur nga Policia e Durrësit më 3 tetor të vitit 2017, në kuadër të një operacioni në atë kohë për goditjen e elementëve kriminalë.
“Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip ‘Porche’, që drejtohej nga Marjel Fierza, u gjetën dhe sekuestruan, 2 armë zjarri pistoletë tip ‘Beretta’, automjeti që ata udhëtonin dhe 6 telefona celularë”, sqaronte Policia.
Fierza, person me precedent penal, njihet edhe si mik i Lul Berishës. Ai është evidentuar si pjesë e bandës së Durrësit, ndërsa u ka shpëtuar dy atentateve me armë zjarri në 2010 dhe 2012. Ai deklaroi në atë kohë se në momentin që janë prangosur i ishte drejtuar komisariatit për të dorëzuar armën të cilën e kishte gjetur në një depozitë uji.
“Pistoletën e gjeta te depozitat e ujit ku po pija kafe me Gentianin. Isha drejtuar për në komisariat për ta dorëzuar atë”, kishte deklaruar ai para Gjykatës.
Ndërsa Nerjaku deklaronte se armën që posedonte e kishte me leje. Pas verifikimeve rezultoi që arma e zjarrit e tipit pistoletë ishte me leje, por duhej të mbahej në ambientet e banesës së Nerjakut dhe jo jashtë saj. Në atë kohë, Gjykata e Durrësit dha masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për Nerjakun.
Kush është “Rrumi”, rivali i tij
Njihet si “i forti” i Shijakut, por “bëmat” e tij duket se kanë një rreze më të gjerë se brenda hapësirës së 4 rrugëve të vendlindjes së tij.
Të gjithë e thërrasin me pseudonimin “Rrumi”, ndërsa policia thotë se ai e ka ndryshuar emrin të paktën dy herë.
Fillimisht quhej Pëllumb Muharremi, më pas Landi Muharremi, emër i cili është shënuar shpesh në regjistrat e Policisë së Durrësit, por edhe të Tiranës.
Ndërsa më pas, 48- vjeçari e ka ndryshuar sërish emrin dhe në dokumente figuron si Aleksandër Laho.
Dhunohet Polici i Rrugores në Shkodër, goditet me sende të forta jashtë orarit të punës