Aplikacion
Këngëtari i njohur Ardian Trebicka po përballet me një situatë të vështirë ligjore dhe personale, pasi prej tre vitesh nuk ka akses të plotë në apartamentin e tij në katin e 10-të në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Sipas Trebickës, gjithçka nisi kur Ines Jaho, këshilltarja e një ministri, ofroi të blinte pronën e tij dhe u lejua të hynte në banesë për të kryer disa punime riparuese.
“Në fund të 2022 doja të shisja një apartament në pronësisnë time për një problem familjar shëndetësor, m’u afrua mbesa e një mikeshe tonë. Kërkesa ishte që të hynte në shtëpi e të bënte rregullimet sipas dëshirës së saj, i thash në rregull dokumentacione nuk bëjmë, po pres që të bëjmë likujdimin dhe mbylljen e kontratës. Kaloi një muaj, kaluan dy, tre, erdhi janari, isha i detyruar për t’i thënë që ne bashkë duhet të bëjmë një kontratë një-mujore që brënda kohes duhet të likujdojmë pronën. Në ato momente u shfaq pretendimi që prona ishte MND sipas noteres Dhimitra Qarri, sepse atje po i bënim dokumentacionet. Por, çudia më e madhe ishte që në datën 8 shkurt do lidhnim kontratën, ndërsa në datën 7 zonja Ines Jaho kishte hapur dy gjyqe. Një ishte për kthimin e investimit që kishte bërë në apartament, që unë s’kam ndonjë letër për ato investim, unë e lejova të bënte investimin sepse do ta blinte. Gjyqi tjetër ishte për bllokimin e pronës”, u shpreh këngëtari në emisionin “STOP”.
Megjithatë, marrëveshja përfundimtare e shitblerjes nuk u realizua kurrë. Në vend të kësaj, Jaho ka hapur dy procese gjyqësore: një për kthimin e investimit të pretenduar dhe një tjetër për bllokimin e apartamentit. Trebicka thotë se gjatë këtyre tre viteve ka hyrë vetëm dy herë në banesë, gjithmonë në prani të një eksperte vlerësuese, ndërsa Jaho vazhdon të jetojë aty pa kontratë qiraje dhe pa marrëveshje të ligjshme.
“Ka tre vjet që nuk është e lirë. Zonja rri pa qira, pa kontratë. Jashtë çdo lloj ligji, jashtë çdo lloj rregulli. Unë kam shkuar dhe në Prokurori dhe më kanë thënë je në proces gjyqësor. Kam shkuar dhe në polici, je në proces gjyqësor. Sot për shembull, erdhi një letër nga Prokuroria se zonja ka shkuar, sepse i pikon banjoja. E më ka çuar me banjon time, që pikon banjo, për t’i rregulluar unë banjon time e ajo të vazhdojë të rrijë e qetë, kupton?”, sqaron ai.
Këngëtari shprehet se ka pësuar dëme financiare të konsiderueshme, rreth 1 mijë euro në muaj, që do t’i përfitonte nëse apartamenti do të jepej me qira. Ai pretendon se kërkesat e Jahos për kompensim janë të fryra dhe nuk mbështeten nga dokumente tatimore.
Nga ana tjetër, Ines Jaho ka dhënë versionin e saj të ngjarjes. Ajo pretendon se Trebicka ka kërkuar pretekste për të mos firmosur kontratën e shitjes dhe madje ka kërkuar pagesë qiraje për apartamentin që ajo kishte ndërmend të blinte. Jaho e konsideron situatën të komplikuar dhe thotë se aktualisht është e sëmurë dhe nuk mund të merret me procedurat ligjore.
Ines Jaho mban pozicionin e Këshilltarit pranë kabinetit të Ministrit të Financave prej muajit korrik 2025./ Zoom.al