Aplikacion
Heqja e tabelës së vendosur nga Myftinia Shkodër në qendër të qytetit ka shkaktuar debat, pasi Policia Bashkiake ndërhyri sot për ta larguar atë me argumentin se ishte vendosur pa leje në hapësirë publike.
Myftinia Shkodër ka kundërshtuar hapur këtë veprim, duke theksuar se tabela kishte qëndruar në atë vend prej disa muajsh dhe se nuk ishte marrë asnjë njoftim, paralajmërim apo kërkesë zyrtare për largimin e saj.
Sipas përfaqësuesve të institucionit, mënyra e veprimit të Bashkisë shihet si e njëanshme dhe e panevojshme, duke qenë se informacioni i paraqitur në tabelë lidhej me një shqetësim publik dhe legjitim: çështjen e pronësisë mbi tokën ku po ndërtohet kulla 35-katëshe në qendër të Shkodrës.
Myftinia ka deklaruar më herët se ndërtimi po kryhet në një territor që i përket komunitetit mysliman dhe se institucioni është në proces ligjor për mbrojtjen e kësaj prone. Sipas tyre, tabela ishte një formë informimi për qytetarët dhe një qëndrim ndaj asaj që Myftinia e konsideron padrejtësi ndaj pronës së saj.
Ndërkohë Bashkia Shkodër e „justifikon“ me faktin se nuk do të tolerohet asnjë lloj zaptimi i hapësirave publike. Sipas Bashkisë, po largohen tabela, stacione të vjetëruara autobusi dhe ndërtime të vendosura pa kriter në zona të ndryshme të qytetit.
Postimi i plotë:
Asnjë tolerim, për këdo që zapton hapësirat publike në Shkodër.
Që prej muajit Korrik, Bashkia Shkodër po vijon në cdo cep të Shkodrës lirimin e hapësirave që në vite I kishin zënë frymën qytetit.
Stacione autobusësh të vjetëruar si gërmadha rrugëve të Shkodrës, trotuare të zëna nga ndërtime dhe tenda pa kriter, dhe tabela të subjekteve që nuk kishin një marrëdhënie kontaktuale me institucionin e Bashkisë Shkodër.
Puna nuk ndalet cdo ditë!
Sot është ndërhyrë në disa zona të qytetit në heqjen e tabelave dhe stacioneve të autobusëve të cilat do të shoqërohen me një sistem të ri të funksionimit të tyre duke vendosur rregull për qytetin.
Aksioni do të vijojë deri në heqjen dhe lirimin e plotë të hapësirave publike.
Bashkia Shkodër mbetet e vendosur të ndalojë çdo formë abuzimi me hapësirat publike dhe të sigurojë që ato t’u përkasin qytetarëve për një Shkodër më të rregullt, të pastër dhe me standarde europiane urbane.