zoom

Të gjitha

Këshilltari i Ramës: Kosova është e Serbisë, iu mor me dhunë nga Perëndimi

Presidenti kroat, Zoran Milanovic ka shpërthyer në kritika kundër Perëndimit për politikën e ndjekur ndaj Rusisë dhe Ballkanit.
Edhe pse vendi i tij ka qenë ndër mbështetësit e parë të pavarësisë së Kosovës, Milanovic ka deklaruar se Kosova iu mor Serbisë me forcë, pasi

“Kush e aneksoi Kosovën? Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë ne”, tha Milanovic të hënën në një fjalim në qytetin kroat Petrinja, ku foli për luftën në Ukrainë. “Kosova i është marrë Serbisë me dhunë, është marrë një pjesë e territorit serb”, deklaroi Milanovic.

Milanovic, një liberal i majtë, i cili ka këshilluar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, i bëri këto deklarata duke krahasuar pavarësinë e Kosovës me aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe shprehu bindjen se Ukraina nuk do të mundet më ta marrë mbrapsht territorin e saj.

“Është e qartë se Krimea nuk do të jetë më kurrë pjesë e Ukrainës”, shtoi Milanovic.

Presidenti kroat e quajti çmenduri dërgimin e armëve konvencionale në Ukrainë, ndërsa tha se Rusia po provokohet prej vitit 2014 kur ajo aneksoi Krimenë, me qëllim nisjen e luftës në Ukrainë.

“Nga viti 2014 deri në vitin 2022, ne jemi duke parë se si dikush provokon Rusinë me qëllimin për të filluar këtë luftë”, u shpreh ai, duke nënkuptuar këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Cili është qëllimi i kësaj lufte? Një luftë kundër një fuqie bërthamore që është në luftë në një vend tjetër? A ka një mënyrë konvencionale për të mposhtur një vend të tillë? Unë jam kundër dërgimit të ndonjë arme vdekjeprurëse atje. Kjo e zgjat luftën. Cili është qëllimi? Shpërbërja e Rusisë, ndryshimi i qeverisë? Flitet gjithashtu për copëtimin e Rusisë. Kjo është çmenduri,” tha ai.

Milanovic qe më i qartë në artikulimin e tij kundër Amerikës kur ia faturoi çmimin e luftës Europës.

“Kush e paguan çmimin? Evropa. Amerika paguan më së paku”, tha ai. “Ka kaluar një vit dhe ne po flasim vetëm tani për tanke. Asnjë tank i vetëm amerikan nuk do të shkojë në Ukrainë brenda një viti. Aty do të dërgohen vetëm tanke gjermane”, tha ai.

Presidenti kroat u zgjodh në vitin 2019 si një kandidat liberal me prirje të majtë, një kundërvënie ndaj qeverisë konservatore aktualisht në pushtet në Bashkimin Evropian dhe shtetin anëtar të NATO-s. Por që atëherë ai ka bërë një kthesë drejt nacionalizmit populist dhe ka kritikuar politikat perëndimore ndaj Rusisë, si dhe ndaj Ballkanit.

Milanovic ka krijuar një reputacion për të qenë pro-rus, të cilin ai e ka mohuar vazhdimisht. Megjithatë, në muajt e fundit, ai ka kundërshtuar hapur pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, si dhe trajnimin e trupave ukrainase në Kroaci si pjesë e ndihmës së BE-së për vendin e luftuar.

Shpërthimet e tij të fundit antiperëndimore kanë vënë në siklet dhe kanë irrituar qeverinë e vendit, e cila ka mbështetur plotësisht Ukrainën.

Milanovic ka këshilluar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, siç ka pohuar vetë kreu i qeverisë shqiptare. Më 9 nëntor të vitin 2017, i pyetur nga gazetarët gjatë një konference me komisionerin Johanes Hahn, nëse Milanovic ishtë këshilltar zyrtar i tij, Rama nuk e mohoi se merrte këshillta nga kroati dhe e konsideroi atë si mik të tijin.

Pyetje nga gazetarët: Flitet se Zoran Milanoviç është një prej këshilltarëve tuj, duam dimë nëse është e vërtetë?

Rama : Kroacia është e jashtëzakonshme, është një shembull fantastik i mënyrës se si ta ndjekim këtë ambicie. Zoran është një mik i madh, i kam kërkuar këshillim dhe do t’i kërkoj sa herë ta takoj, më duhet t’i them se ai është kaq i mirë me mua se asnjëherë nuk është i vonë kur jep këshillat e tij.