Aplikacion
3 zyrtarë nga Maqedonia e Veriut mësohet se janë ndaluar nga Policia në pikën kufitare Qafë Thanë.
Lajmi është konfirmuar nga media TV21, e cila shkruan se bëhet fjalë për ndalimin e koordinatorit të grupit parlamentar të VLEN-it, deputetin Bekim Qoku, deputetin Adnan Azizi dhe Hasim Murtezanin, zëvendëssekretar i përgjithshëm në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Zyrtarët e sipërpërmendur pretendojnë se ngjarja ka ndodhur ditën e sotme në pikën kufitare Qafë Thanë, ku ata tentuan të kalojnë kufirin me pasaporta diplomatike.
Po ashtu ata janë shprehur se janë mbajtur për rreth një orë në pritje, pa marrë sqarime.
Pas një ore ndalese, një pjesëtar i policisë kufitare u ka bërë të ditur se tre prej tyre mund të vazhdojnë udhëtimin, ndërsa i katërti që po i shoqëronte ata nuk është lejuar të kalojë kufirin.
Në shenjë revolte, ata vendosën të kthehen, ndërsa më pas, sipas deklarimeve të tyre, u është komunikuar se kanë ndalesë hyrjeje në Shqipëri.
TV21 raporton se kjo vjen pasi të njëjtit dyshohet se kanë qenë të përfshirë në organizimin e protestave në Tiranë, në të ashtuquajturin “Revolucioni Flamingo”.