zoom

Aktualitet

Berisha: Rama bllokoi udhëtimin e presidentit Begaj në Samitin e NATO-s në Ankara

Berisha: Rama bllokoi udhëtimin e presidentit Begaj në Samitin e NATO-s në Ankara

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka penguar Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, të marrë pjesë si kryetar i delegacionit shqiptar në Samitin e NATO-s të zhvilluar në Ankara.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Berisha, duke iu referuar një mesazhi të ashtuquajtur nga ai si “Diplomati Dixhital”, pretendon se sipas dokumentacionit protokollar të samitit, delegacioni shqiptar duhej të drejtohej nga Presidenti Begaj, ndërsa kryeministri Rama ishte pjesë e tij si anëtar.

Berisha e cilësoi këtë situatë “një skandal të nivelit më të lartë”, duke pretenduar se Rama ka ndërhyrë për të penguar pjesëmarrjen e Presidentit në samit.

Sipas kreut të PD-së, konflikti ka nisur një javë më parë, kur ambasadori i Turqisë në Shqipëri i dorëzoi Presidentit Begaj ftesën për Samitin e NATO-s. Berisha pretendon se më pas Rama ka kërkuar që ftesa t’i drejtohej atij dhe se janë bërë ndërhyrje pranë autoriteteve turke.

Ai gjithashtu pretendon se, sipas dokumenteve të delegacionit, Begaj ishte përcaktuar si kryetar i delegacionit shqiptar, çka do të nënkuptonte përfaqësimin e Shqipërisë në tryezën e samitit dhe në foton zyrtare të liderëve.

Berisha akuzon Ramën se, në kundërshtim me Kushtetutën, ka bllokuar udhëtimin e Presidentit, si me avionin e delegacionit ashtu edhe me linjat tregtare, ndërsa vetë është nisur drejt Ankarasë me bashkëshorten.

Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Kryeministria apo Presidenca lidhur me pretendimet e ngritura nga Berisha.

Postime të lidhura