zoom

Politikë

INCENERATORËT/ PD: Ja dokumentet që e shtyjnë Ben Blushin e Ramës të mbyllë sytë dhe ekranin

Këtë të shtunë, Partia Demokratike risolli në vëmendje aferën e inceneratorëve.

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Jamarbër Malltezi denoncoi sot përfshirjen e medieve në këtë aferë, duke u ndalur veçanërisht te një emër konkret, Ben Blushi.

“Dokumenti që po shfaqim sot dëshmon se si Stela Gugallja, pronare e Albtek energy i ka dhuruar një Range Rover të bardhë, gruas se ish-kryetarit të Libra, ish-deputetit socialist, dhe ish-drejtorit të Top Media, Ben Blushi,”- u shpreh Malltezi ndër të tjera.

Lexoni më poshtë deklaratën e plotë:

Sot do t’ju dëshmojmë me dokumente të cilat provojnë, në mënyrë të padiskutueshme se, në aferën e inceneratorëve, është përfshirë, përdorur dhe blerë, media dhe drejtues të saj.

Kjo është arsyeja se pse mediat, nga më të voglat deri te më të mëdhatë, kanë heshtur kur është folur nga opozita për inceneratorët, nuk kanë organizuar debate ose panele, për këtë vjedhje të shekullit, që kap 430 milionë euro.

Në këtë shumë stratosferike ka pasur thela, jo të vogla, po të gjykosh nga heshtja për drejtorë të mëdhenj, me libra apo pa shkollë, të cilët janë kavërdisur në tiganin plot të vjedhjes qeveritare.

Jo vetëm drejtorët, por edhe gratë e tyre, të cilat kanë udhëtuarsi zonja në makina luksoze të ofruara pa teklif nga grabitqarët e parave publike.

Dokumenti që po shfaqim sot dëshmon se si Stela Gugallja, pronare e Albtek energy i ka dhuruar një Range Rover të bardhë, gruas se ish-kryetarit të Libra, ish-deputetit socialist, dhe ish-drejtorit të Top Media, Ben Blushi.

Ky ka qenë kali i bardhë në pajën që Blushët kanë marrë nga banda e inceneratorëve.

Në vijim do të japim prova të tjera, që e kanë shtyrë Blushin e Ramës që të mbyllë sytë, gojën dhe ekranin e një prej televizioneve më të mëdha në vend.

Pyetjet në vijim, besoj se i bën gjithë secili prej jush kur sheh këtë dokument:

1. A kanë shkuar paratë publike të shqiptarëve te gazetarët dhe mediat që të mbronin mega-aferën korruptive të inceneratorëve?

2. A ka gazetarë me kontrata, fiktive ose jo, me pronarët e inceneratorëve, përfshirë ata në kërkim ose Edi Ramën?

3. A ka marrë dhurata të tjera Blushi nga bosët e inceneratorëve?

4. A janë në biznes së bashku apo ka qenë një dhuratë ‘shoqërore’?

5. A ka ndikuar kjo dhuratë në trajtimin që media e drejtuar Blushit i ka bërë mafias së plehrave?