zoom

Lajme

Imuniteti i Ballukut, çfarë tregojnë rastet e ngjashme të Çekisë dhe Rumanisë

Imuniteti i Ballukut, çfarë tregojnë rastet e ngjashme të Çekisë dhe Rumanisë

Për 1 orë e 30 minuta Edi Rama u përpoq të justifikonte para shqiptarëve dhe ndërkombëtareve se përse kishte vendosur të mos e dorëzonte Belinda Ballukun.

Në fakt, pakkush priste që ai të vepronte ndryshe. “Balluku e merr atë me vete nëse ai e lëshon” ishte retorika e vazhdueshme e opozitës dhe opinionet e një pjese të madhe të analistëve politikë.

Pavarësisht arsyeve që mund të këtë Rama dhe që mund jenë ndryshe nga perceptimet, në opinionin publik ai duket i kapur nga Balluku.

Por debati për heqjen ose jo të imunitetit të një zyrtari të lartë nuk është as i paprecedent në Shqipëri dhe nuk është as fenomen vetëm shqiptar.

Rasti Tahiri

Në prill të vitit 2018, shumica parlamentare e drejtuar nga Rama refuzoi arrestimin e ish -ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

“Këtu nuk diskutojmë heqjen e imunitetit, por arrestin me burg për të. Këtu nuk jemi për të mbrojtur një deputet, por për të mbrojtur ligjin dhe drejtësinë”, deklaronte në atë kohë Kryeministri Rama, duke kundështuar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Me 75 vota, parlamenti autorizoi pas shumë debatesh kontrollin e banesës së Tahirit, jo arrestimin. Më vonë ai hoqi dorë nga mandati dhe u përball me drejtësinë pa imunitet.

Në shumë vende europiane, parlamentet janë përballur me të njëjtën dilemë, nëse duhet t’i autorizonin apo jo kërkesat e prokurorisë për arrestim, apo të ushtronin rolin e tyre si filtër politik dhe institucional.

Çekia dhe rasti i kryeministrit Andrej Babiš

Çekia ka një precedent interesant dhe shumë të njohur në BE. Në vitin 2017, kryeministri Andrej Babiš u përfshi në një hetim të njohur si skandali “Stork’s Nest”, që lidhej me dyshime për përfitim të paligjshëm të subvencioneve të Bashkimit Europian.

Parlamenti u përball me disa kërkesa të prokurorisë për heqjen e imunitetit të tij. Procedura u shoqërua me debate të forta politike dhe zvarritje të gjata. Megjithatë hetimi nuk u ndal dhe çështja përfundoi në gjykatë.

Në shtator 2017, Dhoma e Deputetëve votoi pro heqjes së imunitetit, duke i hapur rrugë hetimit penal. Por në tetor të 2017 Babiš u rizgjodh deputet dhe e rifitoi automatikisht imunitetin. Prokuroria bëri sërish kërkesë dhe në janar 2018 parlamenti ia hoqi prapë imunitetin. Në vitin 2019 çështja kaloi në gjykatë. Por në vitin 2023 Gjykata e shpalli të pafajshëm Babiš -in për akuzat e mashtrimit me fondet e BE.

Hetimet e prokurorisë megjithatë sollën pasoja të mëdha personale dhe politike për Babišin. Skandali ndikoi në perceptimin publik për qeverinë dhe u përdor si temë kryesore e fushatave elektorale.

Rumania, një histori përplasjesh të përsëritura

Rasti i Rumanisë është ndoshta më i afërti me realitetin shqiptar të këtyre ditëve. Në vitet 2013 – 2015 kur lufta kundër korrupsionit u intensifikua nga prokuroria antikorrupsion, parlamenti rumun u përball vazhdimisht me kërkesa për arrestimin ose procedimin penal të deputetëve dhe ministrave.

Në disa raste, deputetët votuan për heqjen e imunitetit dhe hetimet vazhduan normalisht. Por në raste të tjera parlamenti refuzoi kërkesat e prokurorisë, duke krijuar përplasje të forta institucionale.

Rasti kryesor është ai i kryeministrit Victor Ponta. Në vitin 2015, Drejtoria Kombëtare Antikorrupsion (Direcția Națională Anticorupție – DNA) kërkoi nga parlamenti autorizimin për hetimin e kryeministrit dhe vendosjen e tij në arrest shtëpie.

Akuzat ndaj tij ishin për falsifikim, evazion fiskal dhe konflikt interesi nga periudha kur ishte avokat. Parlamenti refuzoi autorizimin për arrest shtëpie dhe Ponta vazhdoi të qëndrojë në detyrë për disa muaj. Por vendimi u kritikua ashpër nga opozita, shoqëria civile dhe BE. Presioni politik u rrit dhe Ponta dha dorëheqjen disa muaj më vonë.

Po në vitin 2015 Prokuroria kërkoi arrestimin e senatorit socialdemokrat dhe ish -ministrit të Transportit Dan Șova, nën akuzat për korrupsion në disa kontrata infrastrukturore.

Senati rumun refuzoi kërkesën për arrestim, por vendimi shkaktoi protesta të mëdha. Gjykata Kushtetuese ndërhyri dhe kërkoi rivotim të procedurës dhe në votimin e dytë Senati e autorizoi arrestimin.

Në vitin 2013 Prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ministrit të Ekonomisë, Varujan Vosganian për një skandal që lidhej me disa kontrata gazi. Parlamenti refuzoi arrestimin, por Vosganian dha dorëheqjen si ministër.

Ajo që ndodhi në Rumaninë e atyre viteve vijon të shihet nga Komisioni Europian si shembull i mbrojtjes politike të zyrtarëve të lartë.

Skenari ishte i qartë. Parlamenti bllokonte arrestimet, por pas presionit nga protestat qytetare dhe institucionet, procedura rivotohej ose zyrtarët jepnin dorëheqjen.

Pasojat

Krahasimi i këtyre rasteve tregon se roli i parlamentit në çështjet e imunitetit nuk është vetëm ai i “një noteri”. Megjithatë, ky rol lidhet ngushtësisht me vullnetin politik të forcave që janë në pushtet.

Imagjinoni për një çast Edi Ramën kryetar të opozitës dhe Sali Berishën duke mbrojtur në këtë formë zëvendësen e tij.

Por përvojat e Çekisë dhe Rumanisë tregojnë se vendimet për imunitetin kanë pasoja që shkojnë përtej çështjes penale.

Në Çeki, debati u përkthye në kosto politike dhe elektorale për kryeministrin dhe partinë e tij. Në Rumani, ai u kthye në një konflikt të vazhdueshëm mes parlamentit dhe institucioneve të drejtësisë.

Për Shqipërinë, sfida është edhe më e ndjeshme, pasi vendi ndodhet në proces negociatash për anëtarësim në BE. Çdo vendim që perceptohet si pengim i hetimeve për korrupsion të nivelit të lartë mund të ndikojë në mënyrën se si institucionet europiane vlerësojnë progresin e reformës në drejtësi.

Ajo që kuptohet nga këto precedentë është se sidoqoftë debati për imunitetin nuk është vetëm një çështje proceduriale juridike, por edhe një betejë për ruajtje të ekuilibrit mes politikës dhe drejtësisë.

E zhytur në korrupsion në çdo nivel të qeverisjes, Shqipëria e ka të vështirë, në mos të pamundur, që të ta ruajë këtë ekuilibër apo të japë shembullin se si politika mund ta ruajë demokracinë nga dëmet që mund t’i sjellë një drejtësi e pakontrolluar, aq me tepër kur Drejtësia e Re u votua nga 140 deputetë, në rresht.

Prandaj, në Shqipëri, më shumë sesa një betejë për ruajtjen e kufijve mes pushteteve, siç përpiqet ta shesë Rama, refuzimi i kërkesës së SPAK për Ballukun krijon përshtypjen se politika po bën gjithça për ta mbrojtur veten nga drejtësia. /Zoom.al

Postime të lidhura