Aplikacion
Kuvendi pritet të votojë sot në seancë plenare dy raportet e paraqitura nga mazhoranca dhe opozita lidhur me kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes socialiste, Belinda Balluku. Votimi pritet të vulosë fatin e kësaj kërkese, e cila ndodhet në Kuvend që prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar.
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë qëndrime të kundërta për këtë çështje. Socialistët argumentojnë se Balluku, e cila tashmë nuk mban më funksione ekzekutive pasi është shkarkuar si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe si zëvendëskryeministre, nuk përbën rrezik për prishjen e provave apo arratisje nga vendi. Sipas tyre, SPAK mund të vijojë hetimet për çështjet e dyshuara pa qenë e nevojshme masa e arrestit me burg. Për të rrëzuar kërkesën e SPAK, mazhorancës i mjaftojnë 71 vota në Kuvend.
Nga ana tjetër, opozita këmbëngul se heqja e imunitetit të deputetes dhe dhënia e autorizimit për arrestim është e domosdoshme. Demokratët argumentojnë se, pavarësisht largimit nga postet qeveritare, ekziston rreziku i ndikimit tek dëshmitarët apo i prishjes së provave. Raporti i opozitës, i dorëzuar më herët, pritet të lexohet në seancë nga Oerd Bylykbashi, në mungesë të kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i përjashtuar nga Sekretariati i Etikës.
SPAK kërkoi në muajin dhjetor autorizimin për arrestimin e Ballukut, pasi më herët ajo ishte pezulluar nga dy funksionet në qeveri dhe ndaj saj është vendosur masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit. Deputetja socialiste është e pandehur për dosjen e tunelit të Llogarasë dhe po hetohet gjithashtu për disa procedura tenderimi, përfshirë 7 lotet e Unazës së Madhe, tenderin e rrugës Thumanë–Kashar dhe dy procedura të tjera.
Ndërkohë, paralelisht me zhvillimet në Kuvend, Partia Demokratike ka paralajmëruar një protestë para Parlamentit në të njëjtën orë me nisjen e seancës plenare. Përmes një mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale dhe në grupet e anëtarësisë, demokratët kanë ftuar mbështetësit të mblidhen përpara Kuvendit në orën 10:00.
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari