Aplikacion
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi sot kryeministrin Edi Rama nga konferenca për mediat, se mashtroi në fjalimin e tij të mbajtur dje para grupit të PS në mbrojtje të zv/kryeministres së shkarkuar, pezulluar dhe të pandehur Belinda Balluku, duke deklaruar dhe rrëzimin e kërkesës së SPAK për imunitetin.
Deputeti shpjegoi me kronologji pse kreu i mazhorancës gënjeu kur tha se Prokuroria kishte në dispozicion përgjimin për intimidimin që në masën e parë në Gjykatë. Ai tha se kjo nuk ishte e vërtetë dhe se kërcënimi kishte ndodhur ndaj dëshmitares vetëm një ditë pas masës së GJKKO-së.
Gjithashtu ai sqaroi se kërcënimi ishte bërë nga grupe kriminale dhe të fortë nga qarku i Fierit.
“Kërcënimi dhe intimidimi është bërë nga grupe kriminale të qarkut të Fierit, po e them për herë të parë këtu, sipas përgjimeve të Prokurorisë. Nuk e kanë bërë për të mbrojtur Ballukun, por për të mbrojtur paktin mafioz që kanë bërë në emër të Belinda Ballukut. Dhe këto nuk janë fjalë, por janë prova se këta grupe kriminale kanë ushtruar presione dhe kërcënime në emër të Belinda Ballukut”, tha Bardhi.
Dhe më tej shtoi se përgjimi i SPAK ishte bërë pas masës së GJKKO-së.
“Ky përgjim ishte në dispozicion të prokurorisë në masën e parë ndaj Ballukut në nëntor nuk ekzistonte, ku dhe i është komunikua të pandehurës më 19 nëntor masa e sigurisë. Përgjimi i i prokurorisë është bërë më 20 nëntor, pra një ditë pasi u caktua masa e sigurisë, ora 11:00, ku ka nisur edhe përgjimi. Prokurori e ka pasur në dispozicion më 3 dhjetor 2025 këtë përgjim. Ndaj kjo është gënjeshtër tjetër, gënjeshtër e Ramës, se Prokuroria e ka pasur përgjimin që në masën e parë, nuk është e vërtetë. Kjo ka ndodhur pas masës së sigurisë ndaj Ballukut”, theksoi ai.
Bardhi shpjegoi se kjo nuk ishte gënjeshtra e vetme e kryeministrit, sepse e dyta ishte për personin e intimiduar, ku tha se “ishte e bashkëpandehur me Ballukun”. Deputeti shpjegoi se ajo është dëshmitare e Prokurorisë dhe jo e bashkëpandehur, që është intimiduar nga grupet kriminale të Fierit në emër të Ballukut.
“Dhe gënjeshtra tjetër është se e intimiduara është e bashkëpandehur me Ballukun, jo, bëhet fjalë për dy persona të intimiduar, njëra e pandehur dhe tjetra në listën e dëshmitarëve të prokurorisë”, tha Bardhi.