Aplikacion
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama është zgjidhja e vetme për situatën që, sipas tij, po kalon vendi.
Në një deklaratë për mediat para Kuvendit, Berisha tha se qytetarët shqiptarë kërkojnë largimin e kreut të qeverisë, duke e cilësuar Ramën si kryeministrin më të poshtëruar në hapësirën e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.
“Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës si zgjidhjen e vetme të kësaj gjendjeje dhe të kësaj situate dramatike që përjeton vendi. Në një kohë kur Edi Rama, njeriu më i poshtëruar në detyrë sot në të gjithë hapësirën e Bashkimit Europian dhe më gjerë, nuk ka sot një kryeministër të poshtëruar para botës dhe popullit të tij siç është Edi Rama”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, Rama është “i poshtëruar sepse po shkelmon ligjet dhe Kushtetutën për të mbrojtur vjedhjet e tij” dhe sepse, sipas tij, me veprimet e tij po dëmton rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Berisha u ndal edhe te zhvillimet në Kuvend lidhur me kërkesën për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku, duke deklaruar se opozita do të votojë për heqjen e mandatit dhe arrestimin e saj, por theksoi se kjo nuk është zgjidhje për krizën politike.
“Ne sot jemi këtu për të shprehur mendimin e qytetarëve shqiptarë. Do të votojmë në unison për heqjen e mandatit dhe arrestimin e Lubi Ballukut, por këto nuk janë zgjidhja e krizës. Zgjidhja është largimi i njeriut më të poshtëruar sot në skenën politike evropiane dhe perëndimore që quhet Edi Rama”, deklaroi Berisha.