Aplikacion
Një 43-vjeçar është arrestuar në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Bëhet fjalë për Elton Mihën, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Apelit në Firenze, me 11 vite e 10 muaj burg për veprat penale “Vjedhje e rëndë”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Shkelje e ligjit për migracionin”.
Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit policor të koduar “Vendimi”, i finalizuar nga strukturat e Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda. Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet policore arritën të lokalizojnë dhe vënë në pranga 43-vjeçarin.
Sipas autoriteteve, ai ishte dënuar nga drejtësia italiane që në vitin 2015 dhe tashmë pritet të ndiqen procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë./ Zoom.al