Aplikacion
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shkodër, ku një i paraburgosur 62-vjeçar ka humbur jetën pas një përkeqësimi të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore.
Sipas të dhënave paraprake, i moshuari me inicialet Ç.J., qëndronte në të njëjtën qeli me djalin e tij, i cili gjithashtu ndodhet në paraburgim. Gjendja e tij u rëndua papritur, duke bërë që personeli shëndetësor i institucionit të ndërhyjë menjëherë.
Pas dhënies së ndihmës së parë brenda ambienteve të burgut, u vendos transportimi i 62-vjeçarit drejt Spitalit të Koplikut për trajtim të specializuar.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të personelit mjekësor, 62-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.
Pas ngjarjes janë njoftuar organet kompetente, të cilat kanë nisur procedurat ligjore për të dokumentuar rastin dhe për të sqaruar plotësisht rrethanat e vdekjes./ Zoom.al