Aplikacion
Më 6 nëntor Autoriteti i Komunikimeve Postare dhe Elektronike njoftoi një gjobë të majme prej 10 milionë lekësh të rinj për kompaninë telefonike “One”, pas problemeve dhe denoncimeve të shumta.
Por pavarësisht gjobës, ankesat e qytetarëve vijojnë. Abonentët vazhdojnë të ankohen për të njëjtat halle të vjetra: Sjellje arrogante, mbifaturime, pengesë për të zgjidhur kontratën.
Kompania ONE nuk jep zgjidhje për shqetësimet e qytetarëve, edhe pse, të njëjtat komente siç i lexojmë ne çdo ditë në rrjetet sociale, me siguri i shohin edhe punonjësit.
Abonentët lihen pa përgjigje për javë të tëra, si rasti i këtij më poshtë:
“Përshëndetje jam një numër me kontratë tek ju prej dy vitesh (aktualisht dhe tre muaj dhe mbaron kontrata). Më është ndërruar oferta e telefonit nga 1000lek të rinj, në 2000lek të rinj (muaji gusht-shtator-tetor që kam paguar nga 2000lek ). Kam folur me pika të ndryshme në Tiranë dhe më kanë thënë që duhet të pres një përgjigje për rregullimin e këtij gabimi nga ana e kompanisë.
Aktualisht vjen mesazhi i këtij muaji dhe serisht 2000lek oferta e telefonit(po flasim për numrin me kontratë), ka mundësi që të ndryshohet oferta e një numri me kontratë (muaj të fundit kur mbaron si kontratë) dhe të mos jepet asnjë shpjegim për këtë ndryshim?!
Kam një muaj që prisja një përgjigje për këtë gabim të bërë dhe asnjë zgjidhje, pavarësisht dëmit ekonomik që më është bërë dhe e kam paguar vete ( 3muaj -gusht shtator tetor të paguar nga 2000lek ofertë për një numër më kontratë që nga viti 2021).
Ju lutem kërkoj vetëm të zgjidhet gabimi i bërë nga kompania juaj, për të vazhduar të marr shërbim tek ju. Mirë që dëmi është bërë dhe ka rënduar mbi mua, por vazhdon të mbartet pa asnjë turp e përgjegjësi! Uroj që të marr zgjidhje! Faleminderit paraprakisht!”, shkruan ai në një koment në faqen zyrtare të ONE në Facebook.

ONE nuk mban fjalën as për premtime që i jep vetë nëpër fushata promocioni.
“Respektoni kontratën, lëirini reklamat boshe që bëni vazhdimisht! Gigat bonus që përfshin pagesa mujore ku i keni? Apo çe deshët?”, shkruan një tjetër abonent.

Të tjerë flasin për eksperiencat e tyre të pakëndshme me stafin e pasjellshëm.
“O one që nk je one; mos veproni me arrogancë me klientët – shikoni dhe trajtoni me korrektesë shqetësimet që ngremë dhe jepni përgjigje, pasi marrëdhënia me ju përtej shërbimit jo cilësor është një STRES i paparë!”, shprehet një prej tyre.

“Përmirësoni njëherë rrjetin mobil se na duhet të bëjmë të paktën 3 herë thirrje që të dëgjohet 1 herë”, ankohet një tjetër qytetar.



Kur aplikoi gjobën, AKEP theksoi se “One Albania” duhet të respektojë detyrimet ligjore dhe kontraktore lidhur me kufizimet e shërbimeve dhe njoftimin e pajtimtarit përpara zgjidhjes së kontratës.
Në vendim thuhej edhe se “One Albania” duhet të respektojë detyrimet ligjore lidhur me publikimin e informacionit transparent, të krahasueshëm, të përshtatshëm dhe të përditësuar për çdo detyrim në përfundimin e kontratës, si dhe kushtet e përgjithshme për aksesin e përdorimin e shërbimeve të ofruara për përdoruesit fundorë.