zoom

Aktualitet

Gazetari Elio Laze lihet në burg, zbardhet dëshmia e tij

Gazetari Elio Laze lihet në burg, zbardhet dëshmia e tij

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për gazetarin Elio Laze, i arrestuar nën akuzën e gjobëvënies ndaj një zyrtari publik.

Sipas hetimeve, Laze i kishte kërkuar fillimisht 40 mijë euro zyrtarit Klaus Shaqiri, në këmbim të fshirjes së një artikulli nga portali që administronte.

Pas negociatave mes palëve, shuma është ulur në 20 mijë euro, ndërsa gazetari u kap në flagrancë duke marrë 5 mijë euro në një apartament në kompleksin “Kika”, pranë zonës së Komuna e Parisit, i cili shërbente si redaksi e portalit Priza.al.

Gjatë seancës gjyqësore, deklarimet e të pandehurit kanë shkaktuar reagime, pasi ai ka pretenduar se nuk kishte dijeni për përmbajtjen e zarfit me para dhe se, sipas tij, heqja e lajmeve kundrejt pagesës përbën një aktivitet të ligjshëm, madje të regjistruar edhe në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Laze ka pohuar se “ashtu si paguhet për të publikuar një shkrim, paguhet edhe për ta hequr atë”, duke shtuar se pagesat, sipas tij, realizoheshin përmes bankës dhe kontratave formale.

Artikulli për të cilin pretendohet shantazhi, i publikuar në janar 2026 dhe ende aktiv online, lidhet me veprimtari të dyshuara të zyrtarit në fushën e platformave mashtruese Forex, dhe jo drejtpërdrejt me funksionin e tij shtetëror.

Sipas dosjes hetimore, gazetari u ka deklaruar personave që shantazhonte se vepronte në bashkëpunim me “ortakë”, çka do të justifikonte shumat e larta të kërkuara. Policia po verifikon nëse bëhet fjalë për bashkëpunëtorë realë apo për një skenar të sajuar për të rritur presionin financiar./ Zoom.al

Postime të lidhura