Aplikacion
Policia e Tiranës arrestoi një ditë më parë gazetarin Elio Laze, 37 vjeç, pasi dyshohet se ka detyruar një punonjës të Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror, Klaus Shaqiri, të paguajë një shumë parash për të fshirë një shkrim të publikuar në portalin e tij, Priza.al.
Hetimet tregojnë se fillimisht Laze kërkoi 40 mijë euro, por pas negociatave e uli shumën në 20 mijë euro.
Bisedat mes punonjësit Shaqirit dhe gazetarit janë përgjuar.
Punonjësi i administratës nuk mundi të paguante të gjithë shumën menjëherë dhe i dorëzoi 5 mijë euro të regjistruara me numër serie, duke kryer pagesën nën mbikëqyrje të autoriteteve. Elio Laze, ashtu si dhe herët e tjera e priti punonjësin e administratës publike në zyrën e tij.
Pas marrjes së shumës, policia ndërhyri dhe e arrestoi në flagrancë gazetarin në zyrën e tij, e cila ndodhet në kompleksin “Kika” pranë “Komunës së Parisit”.
Laze dyshohet se gjatë takimeve me punonjësin e ISHSH-së pretendonte se punonte me të tjerë “ortakë”, me qëllim rritjen e shumës së parave të kërkuara. Hetuesit po verifikojnë nëse këta bashkëpunëtorë ekzistojnë realisht apo janë vetëm një skenar për të fryrë vlerën e shantazhit.
Gazetari akuzohet për veprat penale: “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”.
Ky është arrestimi i dytë i Lazes; më 28 maj 2021, ai u ndalua gjatë një kontrolli rutinë, ku iu gjet një armë dhe rezultoi nën efektin e lëndëve narkotike./ Zoom.al