zoom

Aktualitet

Gara për kreun e BKH-së/ Kandidatët do të ulen te makina e së vërtetës

Gara për kreun e BKH-së/ Kandidatët do të ulen te makina e së vërtetës

SPAK ka njoftuar se gara për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit po vazhdon dhe se 7 kandidatët e përzgjedhur do të zhvillojnë dy testime më 22 korrik, në ambientet e SPAK-ut, duke filluar nga ora 09:00.

Konkretisht, kandidatët do të kryejnë:

  • Testim me ese (60 minuta), ku do të vlerësohen për aftësinë e analizës dhe të shprehjes me shkrim;
  • Testim logjik (45 minuta), për të matur aftësitë e arsyetimit dhe vendimmarrjes.

Këto testime janë pjesë e procesit të përzgjedhjes për një nga pozicionet më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë penale në vend.

Pas kësaj faze, kandidatët do t’i nënshtrohen edhe testit të poligrafit, i njohur ndryshe si “makina e së vërtetës”. Ky test përdoret për të verifikuar besueshmërinë dhe integritetin e secilit kandidat, nëpërmjet një interviste të detajuar dhe matjes së reagimeve si ritmi i zemrës, frymëmarrja apo djersitja, ndërkohë që bëhen pyetje të ndjeshme që lidhen me ndershmërinë, përfshirjen në veprime të paligjshme apo konflikt interesi.

Ky filtër është konsideruar një nga më të rëndësishmit në përzgjedhjen e drejtuesit të BKH-së, strukturë e cila luan një rol kyç në hetimet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë.

Kandidatët që vijojnë garën për kreun e BKH:

Andi Pogaçe

Artur Beu

Elton Kërluku

Gentian Ndoi

Gentjan Shehaj

Gledis Nano

Joni Keta

Postime të lidhura