zoom

Aktualitet

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK, a po punon qeveria në prapaskenë për të ndikuar procesin?

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK, a po punon qeveria në prapaskenë për të ndikuar procesin?

Këshilli i Lartë i Prokurorisë administroi sot 4 kandidaturat për kreun e ri të SPAK, që do të pasojnë në këtë detyrë Altin Dumanin. Që përpara se procesi të hynte në fazën përfundimtare, në media kanë qarkulluar emra të ndryshëm. Tani në garë janë Adnan Xholi, Doloreza Musabelli, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho. 

Por a do të jetë KLP i lirë për të vendosur? Edhe në kohën e zgjedhje së Altin Dumanit në media u përfol për “luftë” në heshtje mes qeverisë Rama dhe ambasadës amerikane në Tiranë, ku ambasasdorja e asaj kohe, Juri Kim, u pa disa herë në KLP përpara votimit. 

Nisur nga ky precedent dhe nga rëndësia që ka SPAK do të ishte naive të mendohej që grupet e interesit do të qëndronin duarkryq në këtë proces. 

Analisti Lorenc Vangjeli, kështilltar për disa vite me radhë pranë Kuvendit të Shqipërisë, deklaroi hapur se ka lëvizje intensive politike dhe tentative për ndikim në prapaskenë në proces. 

“Di që nën tavolinë ka përpjekje të ethshme për të zgjedhur dikë që nuk po e them me emër, nga të gjitha palët politike, nga mazhoranca dhe opozita. Po tentojnë të ndikojnë të gjithë në këtë proces. Mazhoranca ka më shumë ndikim dhe më shumë mjete, dhe ka nevojë për një SPAK më të zbutur,” – u shpreh Vangjeli në një emision në televizionin publik, RTSH. 

Vetë Vangjeli shfaqi preferencat e tij mes 4 kandidatëve, i cili, sipas burimeve të Zoom.al rezulton të jetë edhe kandidati më i pëlqyer nga mazhoranca.

“Nëse do të bëhej një bilanc i asaj që quhet epoka e Dumanit, suksesi kryesor i SPAK-ut në këto tre vjet ka qenë goditja ndaj krimit të organizuar në mënyrë të jashtëzakonshme, edhe pse shumë më pak mediatik. Përgjegjës direkt i këtij sektori është zoti Xholi. Ai është favorit në kushte normale për shkak të rezultateve që ka ofruar, për shkak të mbështetjes së z.Dumani dhe për shkak se Shqipëria ka nevojë për disa ekuilibra të rinj,” – tha Vangjeli.

Siç pohoi vetë analisti që ka këshilluar të paktën 2 kryetarë të Kuvendit, pjesë e mazhorancës dhe që njihet për qëndrimet e tij pro mazhorancës socialiste, procesi nuk është imun ndaj ndikimeve politike. 

Por sa larg do të shkojnë këto ndikime, mbetet për t’u parë. Ambsasada amerikane, edhe pse jo dukshëm si në zgjedhjen e Dumanit, është shfaqur e interesuar për procesin, me takimet që e ngarkuara me punë Nancy VanHorn ka zhvilluar me kryetaren e KLP. Si në rastin e zgjedhjes së Dumanit, amerikanët nuk i kanë bërë publike preferencat e tyre. Kandidati më i përfolur për të pasur Dumanin jashtë ndikimit të mazhorancës është Klodian Braho.

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK vjen në një moment delikat, pasi SPAK ka në dorë një sërë hetimesh të bujshme që përfshijnë zyrtarë të lartë të mazhorancës, ish-ministra dhe kryebashkiakë.

Një kryetar SPAK-u jashtë “kontrollit” qeveritar mund të prodhonte më shumë kosto për socialistët që kanë nisur mandatin e katërt qverisës.

Por nëse qeveria arrin të ndikojë në zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, pavarësia e institucionit më të rëndësishëm antikorrupsion në vend do të vihej seriozisht në pikëpyetje. 

Një drejtues që del nga negociatat e prapaskenës politike do të ishte më i prirur për të balancuar hetimet sipas interesave të pushtetit, për të zbutur dosjet që prekin zyrtarë të lartë apo për të mos nisur hetimet e për të penguar SPAK-un që të godasë korrupsionin në nivelet e larta të qeverisjes.

Një drejtues i tillë do ta zbehte misionin e SPAK për të luftuar pandëshkueshmërinë dhe do ta godiste reformën në drejtësi, duke e shndërruar atë në një instrument kontrolli politik dhe jo në një garanci për të bërë drejtësi në një vend ku korrupsioni, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, është në nivele të larta dhe shtrihet në çdo degë të qeverisjes. /Zoom.al

Postime të lidhura