zoom

Aktualitet

“Fajin e ka fara, domatja kalbet pa dal në treg”! Fermerët ngrihen në protestë: Do vijë banka të na marrë shtëpinë tani

Fermerët e shumë fshatrave në zonën e Fierit kanë protestuar ditën e sotme në lidhje me problematikën e farave të domates ozgan.

Sipas tyre, kjo farë e domates është problematike dhe produkti i tyre nuk mund të konsumohet nga qytetarët, duke i shkaktuar në këtë mënyrë një dëm të konsiderueshëm ekonomik.

Fermerët shprehen se në zonën e Fierit janë mbjellur rreth 200 hektarë tokë me domate këtë vit, prej të cilave 70 % me farën ozgan. Sipas tyre, i gjithë prodhimi është hedhur poshtë pasi domatja thahet dhe kalbet pa dalë ende në treg.

Fermerët kërkojnë ndihmë nga ministria e Bujqësisë për problematikën e tyre. Me pankarta në duar ata janë mbledhur masivisht me qëllim që zëri i tyre të dëgjohet.

“Ne kërkojmë të gjendet fajtori qysh tek. Vetëm për farën është kjo luftë. Duam të gjejmë kush është tjetër që merret me këtë punë. Të gjejë drejtësinë. Ne rrimë në serë e punojmë atje jo si tjerët që rrinë në kompjutera.

Nuk e mbjellim dot më. Edhe ajo 10% nuk ka mundësi, nuk e gjejmë dot këtë. Unë kam 3 dynym serra dhe për ato nuk kam marrë asnjë lloj kompensimi. Shteti të vijë e të na mbjelli farën të paktën. Mos të vijë shteti tani të çojë AKU-në e të marrin rryshfet atje e më pas të thonë se kanë marrë.

Fermerët do vazhdojnë derisa tu gjendet e drejta. Nëse shteti nuk merr masa deri në Tiranë do shkojmë do bëjmë grevë urie. Ne nuk kemi më zgjidhje tjetër veçse të ikim në emigracion. Rrezik do vijë banka të na marri shtëpinë tani. Të na japin të paktën farishtet, tjetër gjë nuk po kërkojmë se kemi pa paguar edhe kreditë për plehrat e marra”, u shprehën fermerët.