zoom

Aktualitet

Akuzohet për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, kreu i klanit “Duka” kërkon azil në Belgjikë

Leonard Duka, i akuzuar si kreu i klanit kriminal “Duka”, i arrestuar në Belgjikë, kërkon statusin e azilantit, duke pretenduar se në Shqipëri i rrezikohet jeta dhe refuzon ekstradimin.

Për më shumë se një vit, Duka është duke u përballur me autoritetet belge me qëllim që t’i shpëtojë ekstradimit, pasi në Shqipëri rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm, për organizimin e vrasjes se ish policit Santjago Malko, në rivalitetin e përgjakshëm me organizatën e Ervis Martinajt, ky i fundit i zhdukur prej gati dy vitesh.

Shqipëria dhe Belgjika nuk kanë marrëveshje ekstradimi mes tyre. Leonard Duka është kreu i klanit kriminal, që ishte në përplasje të forta me Ervis Martinaj, bossin e kumarit të zhdukur pa gjurmë prej gushtit të 2022.

Përplasja mes tyre, nisi kur grupi i Martinaj i mori peng babain dhe nga miq ata u shndërruan në armiq të përbetuar. Klani Duke tentoi ekzekutimin e Martinajt, por duke qenë se dështoi në këtë sipërmarrje vranë Santjago Malkon, mikun e mbretit të bixhozit.

Krahas Leonard Dukës, prokuroria akuzon për atentatin mafioz Fatmir Hysenin i njohur si Docja, në rolin e ekzekutorit. Ai shfaqet edhe në kamerat e sigurisë të cilat po shqyrtohen si provë nga gjykata. Po ashtu të pandehur janë marrë dhe Erlis Duka, Aleksandër Maxhaku, Oltjon Logu, e shumë të tjerë. Më herët është dënuar për vrasjen e Malkos Blendi Teta dhe Ilir Selmani. /ZOOM.AL/