zoom

Kosova

Epopeja e UÇK, Kurti: Adem Jashari dha kontribut të lartë. Osmani: Mosndëshkimi ka trimëruar…

Epopeja e UÇK, Kurti: Adem Jashari dha kontribut të lartë. Osmani: Mosndëshkimi ka trimëruar…

Kryeministri Albin Kurti në seancën solemne për shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së ka thënë se më 5, 6 dhe 7 mars, populli i Kosovës bëri një kapërcim të madh në rrugën e gjatë për liri. Ai tha se lufta çlirimtare e Adem Jasharit përmbledh një trashëgimi politike, kulturore dhe kombëtare nga e cila ka ardhur liria e Kosovës.

“Epopeja e UÇK-së, përkatësisht historia e luftës së armatosur të Adem Jasharit, së familjes Jashari të Prekazit dhe të gjithë atyre që ecën bashkë me ta dhe pas tyre në rrugën e çlirimit përmbledhin një trashëgimi politike, kulturore dhe kombëtare nga e cila ka ardhur liria e Kosovës dhe mbi të cilën është ndërtuar edhe vetë shteti sot. Kosova është çliruar prej Serbisë okupatore pikërisht nëpërmjet trashëgimisë politike që e prodhoi personalitetin dhe figurën e Adem Jasharit.

Nga po kjo trashëgimi është ngritur dhe po ndërtohet e forcohet edhe shteti ynë. E kam fjalën për trashëgiminë e dalë nga kultura e rezistencës së armatosur dhe aktivizmit të kulluar politik sidomos që nga Lidhja e Prizrenit e këtej që i ka karakterizuar shqiptarët e veçanërisht Kosovën.

Sepse vërtetë rezistenca e Jasharajve të Prekazit është unike në vetvete, por ajo nuk është pa referenca në historinë e shqiptarëve, siç nuk është e patrasueshme edhe më tutje, madje edhe më sot. Rezistenca e Adem Jasharit dhe UCK-së është produkt i natyrshëm i po asaj kryengritje dhe luftëtarëve vullnetarë që luftuan për mbrojtjen e trevave shqiptare nën organizimin e Lidhjes së Prizrenit”, tha Kurti.

Kurti tha se Adem Jashari lirinë e tij individuale e përbashkoi me lirinë e popullit të tij.

“E në këtë histori të çlirimit dhe shtetndërtimit, Adem Jashari dhe krejt çka përfaqëson figura e tij ka një pjesë shumë të madhe që në të vërtetë është kontributi më i madh që mund ta ketë një njeri në historinë e vendit dhe kombit të tij. Ai është kontributi i një njeriu që brenda kohës së tij dhe qenies së tij vepruese, lirinë e tij individuale e përbashkoi me lirinë e popullit të tij gjatë gjithë jetës deri në vdekje, deri në rënien heroike.

Liria ishte kushti i jetës e që u bë edhe kushti i vdekjes së Adem Jasharit. Andaj nëse historia është përparimi i vetëdijes së popujve për liri atëherë Adem Jashari është emri i përveçëm i njeriut me të cilin ne mund t’i referohemi lirisë sonë”, deklaroi Kurti.

Osmani: Mosndëshkimi i kriminelëve të luftës ka trimëruar trashëgimtarët e sulmit të Banjskës

Kurse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 26- vjetorin e Epopesë së UÇK-së, ka deklaruar se mungesa e drejtësisë dhe mosndëshkimi i kriminelëve të luftës ka trimëruar trashëgimtarët e sulmit të Banjskës.

Ajo shtoi se Kosova është realitet i pakthyeshëm e shtet i konsoliduar.

“Epopeja e Prekazit solli ndryshimin e kursit për liri e pavarësi. Si çdoherë shprehim vlerësimin e mirënjohjen me përkulje për familjen Jashari dhe të gjithë të rënët e lirisë. Mungesa e drejtësisë dhe mosndëshkimi i kriminelëve të luftës ka trimëruar trashëgimtarët siç ishte sulmi në Banjskë. Por, ua rikujtojmë se Kosova është realitet i pakthyeshëm. Republika e Kosovës është shtet i konsoliduar me Kushtetutë e me institucione të bazuara në vlerat më të larta evropiane”, është shprehur Osmani.

Ajo ka shtuar se 5,6 dhe 7 marsi janë ditë lavdie dhe të krenarie.

“Një armatë e tërë vrastare kundër një familjeje…Nderimi më i lartë për UÇK-në e familjen Jashari është Kosova me demokraci e sovranitet në çdo cep të saj e me aleatët kudo nëpër botë”, ka theksuar Osmani.

/ZOOM.AL/

Postime të lidhura