Aplikacion
Pas më shumë se 12 vitesh përballje ligjore dhe administrative, qeveria ka vendosur konfiskimin e godinës 9-katëshe në qendër të Fierit, e ndërtuar nga ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Veliaj.
Vendimi është marrë nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU), i cili ka miratuar konfiskimin e objektit të njohur si godina e ish-Universitetit UFO, e ndërtuar fillimisht për funksione universitare, por që më pas mbeti jashtë përdorimit.

Sipas dokumenteve zyrtare, godina është ndërtuar pa leje ndërtimi, ndërsa për çështjen ka pasur hetime penale, procese gjyqësore dhe procedura administrative. Në dokumente thuhet se Bashkia e Fierit nuk ka dhënë leje për ndërtimin e objektit nga shoqëria “Ufo” sh.p.k.
Vendimi i KKTU-së parashikon që objekti të konfiskohet për interes publik, ndërsa pritet që ambientet e tij të përdoren për strehimin e disa institucioneve shtetërore.
Sipas dokumenteve, vendimi për konfiskimin është marrë në mbledhjen e KKTU-së më 25 shtator 2025, ndërsa procedurat përfundimtare janë plotësuar më 10 korrik 2026.
Godina e UFO-s nisi të ndërtohej në vitin 2012 dhe në vitin akademik 2013-2014 mirëpriti studentë. Objekti, i cili u bë i njohur për ngjashmërinë me Shtëpinë e Bardhë dhe për përmasat e tij, prej vitesh ka qenë në qendër të debatit për mungesën e lejeve të ndërtimit.
