zoom

Aktualitet

EMRI/ Vritet me armë zjarri shqiptari në Itali

EMRI/ Vritet me armë zjarri shqiptari në Itali

Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar në Itali, ku një shtetas shqiptar ka humbur jetën si pasojë e një sulmi me armë zjarri. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes në qytetin e Arezzos.

Viktima është identifikuar si Gjergj Pergegaj, rreth 30 vjeç. Ai u qëllua disa herë me armë zjarri në zonën e njohur si Bivio di Olmo, në pjesën jugore të qytetit.

Sipas informacioneve paraprake, incidenti ka ndodhur pak para mesnatës, pranë një lokali dhe restoranti, ku dyshohet se fillimisht kishte nisur një konflikt mes disa personave. Situata ka degraduar jashtë ambienteve të lokalit, ku një tjetër shqiptar, rreth 35 vjeç, ka nxjerrë një armë pa leje dhe ka hapur zjarr në drejtim të 30-vjeçarit.

Si pasojë e të shtënave, i riu mbeti i plagosur rëndë. Autori i dyshuar u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes me automjet, duke tentuar t’i shmanget ndjekjes nga policia.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e emergjencës, së bashku me policinë dhe karabinierët. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, i plagosuri nuk arriti të mbijetojë për shkak të plagëve të rënda, veçanërisht në zonën e qafës.

Pas disa orësh kërkime, autoritetet italiane arritën të lokalizojnë dhe arrestojnë autorin e dyshuar në banesën e tij në zonën përreth.

Shkaqet e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për një konflikt me motive personale, por deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë pistë. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e krimit./ Zoom.al

Postime të lidhura