zoom

Aktualitet

Ekzekutimi i Mondi Mëhallës për 700 mijë euro? Kush është Oklid El Ouejdi, i dyshuar si porositës i atentatit

Ekzekutimi i Mondi Mëhallës për 700 mijë euro? Kush është Oklid El Ouejdi, i dyshuar si porositës i atentatit

Një sherr për një marrëveshje tregtare prej 700 mijë eurosh dyshohet se është motivi kryesor i vrasjes së biznesmenit Mondi Mëhalla (Edmond Hyka), i ekzekutuar më 30 nëntor pranë karburantit të tij në Elbasan.

Sipas burimeve hetimore, rreth 10 ditë para vrasjes, në ambientet e karburantit “Xhaxhi Oil” ka ndodhur një përplasje fizike mes Mëhallës dhe Oklid El Ouejdit, 35 vjeç, i njohur me nofkën “Kiço” ose “Oliver”. Ky i fundit rezulton të jetë pronari i biznesit të import–eksportit të automjeteve “SOLEIL”, të regjistruar në Elbasan që prej vitit 2018. Konflikti dyshohet se ka lindur pikërisht nga marrëdhëniet e tyre tregtare.

Burime të sigurta bëjnë me dije se Mëhalla ishte revoltuar për mosrealizimin e një marrëveshjeje 700 mijë euro, duke ushtruar dhunë ndaj El Ouejdit. Ky i fundit raportohet se kishte ofruar katër apartamente në Tiranë si kompensim, por me probleme pronësie, çka e agravoi edhe më shumë konfliktin.

Pas incidentit fizik, El Ouejdi dyshohet se ka nisur organizimin e atentatit, i cili u ekzekutua me dy plumba në kokë dhe me një automjet “Audi” që u dogj më pas. Autoritetet e konsiderojnë atë një nga personat kryesorë të hetimit. Ai është larguar nga Shqipëria përmes pikës kufitare të Qafë-Thanës dhe dyshohet se ndodhet në Maqedoninë e Veriut, ku ka lidhje të gjera, përfshirë kontaktet me Sheval Muharremin (“Bosi i Gërçecit”).

Kush është Oklid El Ouejdi

El Ouejdi, 35 vjeç, me origjinë nga Elbasani, njihet si nipi i personazhit të njohur “Timi i Elbasanit”. Prej ditës së krimit, ai është person kyç që policia kërkon të marrë në pyetje.

Arrestimet dhe të kërkuarit

Deri tani janë arrestuar tre persona:

-Nevzat (Nevi) Spaho, nga Përrenjasi, dyshohet si shoferi që ndihmoi autorin të largohej.

-Kujtim Pisha, punonjës i karburantit, akuzohet se ka fshehur informacione.

-Xhino Ago, ortak i Mëhallës, dyshohet për mosndryshimin e pronësisë së “Audi”-t të përdorur në atentat.

Në kërkim janë:

– Armando Kola, nga Laçi

-Marselo Arani, nga Elbasani, i cili është arratisur pavarësisht masës “arrest shtëpie” për pastrim parash.

Roli i Naldi Gjinit

Person i rëndësishëm për zbardhjen e ngjarjes është Naldi Gjini, i cili u shoqërua fillimisht për verifikime, por nuk u procedua për shkak të bashkëpunimit me autoritetet. Ai ka identifikuar në foto Nevzat Spahon, Armando Kolën dhe Marselo Aranin si persona të përfshirë.

Pamje filmike nga një garazh te “21 Dhjetori” tregojnë gjithashtu Aranin duke përdorur “Audi”-n disa ditë para atentatit.

Pista kryesore e hetimit

Sipas burimeve zyrtare, pista më e fortë mbetet ajo e konfliktit financiar mes Mëhallës dhe El Ouejdit, i cili nisi me mosrealizimin e marrëveshjes 700 mijë euro, vijoi me dhunë fizike dhe përfundoi me ekzekutimin e biznesmenit.

Policia po punon për lokalizimin e El Ouejdit dhe dy të kërkuarve të tjerë, ndërsa priten zhvillime të reja në ditët në vijim.

Postime të lidhura