Aplikacion
Policia Kriminale e Elbasanit po kërkon një person me emrin Oliver E., i cili dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e biznesmenit Edmond Hyka, i njohur si Mondi Mëhalla.
Ngjarja ndodhi më 30 nëntor 2025 dhe tronditi qytetin.
Sipas hetimeve, Oliver E. dyshohet se ka bashkëpunuar me Nevzat Spahon, i cili tashmë është arrestuar.
Sipas gazetarit Elton Qyno, ditën e ngjarjes, Oliver E. dyshohet të ketë lëvizur drejt Prrenjasit dhe më pas ka kaluar në Maqedoninë e Veriut përmes pikës kufitare të Qafë-Thanës. Policia shqiptare po bashkëpunon me autoritetet maqedonase për arrestimin e tij.
Nevzat Spaho, i njohur si “Nevi” dhe konsideruar si person me precedentë penalë, ishte liruar nga burgu i Shkodrës në shkurt 2025. Vetëm 9 muaj pas lirimit, ai dyshohet të ketë marrë pjesë në këtë vrasje me pagesë. Spaho ka qenë më parë i dënuar për “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe për plagosje të tjera brenda burgut.
I arrestuar është edhe Xhino Ago, i cili ka qenë ortak me Mondi Mëhallën. Ai akuzohet për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.
Ndërsa Kujtim Pisha, roja i karburantit u arrestua me akuzën moskallëzim krimi.
Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij./ Zoom.al