zoom

Aktualitet

E PLOTË/ Çfarë dihet deri tani për vrasjen e Ilaria Sulës në Itali

E PLOTË/ Çfarë dihet deri tani për vrasjen e Ilaria Sulës në Itali

​Këtë të mërkurë, trupi i pajetë i 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula u gjet në një zonë pyjore pranë komunës Poli, rreth 40 kilometra larg Romës. Ajo ishte raportuar e zhdukur prej 25 marsit. Trupi i saj u gjet i futur brenda një valixheje, e hedhur në një zonë pyjore.

Ish-i dashuri nën akuzë

Dyshimet kryesore bien mbi ish të dashurin e saj, 23-vjeçarin me origjinë filipinase, Mark Samson. Autoritetet italiane e kanë ndaluar atë dhe po e marrin në pyetje për akuzat e vrasjes me paramendim dhe fshehjes së trupit.

Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se e ka masakruar me thikë Ilarian, duke e goditur disa herë në apartamentin e tij, në lagjen Africano të Romës. Më pas ka tentuar të zhdukë trupin e saj. Ai ka pranuar vrasjen para grupit hetimor, duke treguar edhe dinamikën e krimit.

“E godita disa herë me thikë. Trupin e vendosa në makinën time dhe e çova në Poli”, ka treguar i riu.

Një detaj i rëndësishëm që ka ndihmuar në hetime është fakti se, pas vrasjes, Samson ka vazhduar të përdorë telefonin e Ilarias për të dërguar mesazhe dhe për të postuar në rrjetet sociale, duke krijuar përshtypjen se ajo ishte ende gjallë.

Çfarë thonë familjarët e viktimës?

Pas mësuan krimin, familjarët e Ilaria Sulës janë shprehur të tronditur se nuk dinin asgjë për mosmarrëveshjet që ajo kishte me ish-të dashurin e saj.

Nuk mund ta shpjegojmë. Pse e bëri? Nuk e kuptojmë pse e bëri, vetëm ai e di. Kam folur me motrën herën e fundit dy javë më parë, sepse ajo erdhi të na vizitojë në Terni. Ajo ishte e qetë dhe nuk më thoshte për problemet. Pastaj vetëm mesazhe. Të dashurin e saj e njihja, ishin një vit bashkë por u ndanë”, tha Leon Sula, vëllai i 22-vjeçares.

Kush ishte Ilaria Sula?

Ilaria ishte studente në Fakultetin e Shkencave Statistike në Universitetin Sapienza të Romës dhe jetonte në një apartament me shoqet e saj në lagjen San Lorenzo. Më 25 mars, ajo u largua nga shtëpia pa dhënë shpjegime dhe nuk u kthye më. Familja e saj në Terni ngriti alarmin dhe policia italiane filloi menjëherë kërkimet.

Rektori i universitetit, Antonella Polimeni, e përshkroi ngjarjen si një vrasje të tmerrshme që ka lënë të gjithë pa fjalë. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht këtë krim të rëndë./ Zoom.al

Postime të lidhura