Aplikacion
Zbardhet dinamika e atentatit të ndodhur një ditë më parë në Rrilë të Lezhës, ku mbeti i plagosur 30-vjeçari Sokol Daci, pronar i berberhanes.
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar dy automjete, një “Audi” dhe një “Passat”, të cilat ndalojnë pranë sallonit, prej nga zbresin 7 persona, dy prej të cilëve me kallashnikov.
Sipas hetimeve, sulmi duket se ishte i planifikuar, pasi autorët kishin informacion të saktë për prezencën e 21-vjeçarit Merando Nikulaj në sallon.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, pronari i berberhanes, Sokol Daci, mbeti i plagosur gabimisht me tre plumba në këmbë, ndërsa vetë shënjestra e sulmit, Nikulaj, dyshohet se mund të ketë marrë plagë të lehta. Hetuesit kanë identifikuar deri tani tre persona të dyshuar: Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka, të cilët janë shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje.
Hetimet tregojnë se autorët u afruan pranë berberhanes me dy automjete të ndryshme dhe dy prej tyre hynë brenda të maskuar, duke përdorur shkopinj bejsbolli. Sipas hetuesve, i pari që qëlloi me armë zjarri ishte efektivi 24-vjeçar i patrullës së përgjithshme, Besart Kovaçi, i cili ndodhej aty në momentin e ngjarjes. Autorët e tjerë qëndronin jashtë dhe qëlluan me mbi 30 plumba në drejtim të sallonit.
Policia ka nisur kontrolle intensive në zona të ndryshme të Lezhës për të gjetur të shpallurit në kërkim, ndërsa efektivi Kovaçi është ndaluar me urdhër të prokurorisë për dyshimin e shpërdorimit të detyrës. Hetimet e deritanishme sugjerojnë se shkaku i ngjarjes lidhet me një konflikt të hershëm mes familjeve Nikulaj dhe Ndoka, i cili kishte ndodhur një vit më parë pranë zonës së Kunes në Shëngjin dhe përfshinte përdorimin e shkopinjve dhe sendeve të forta.
Merando Nikulaj ka pasur më herët konflikte me pjesëtarë të fisit Ndoka. Gjatë verës, ai dhe një kushëri i tij janë përfshirë në një përplasje pranë zonës së plazhit, ku familjet kanë edhe aktivitet hotelier.
Në atë ngjarje dy të rinj të familjes Nikulaj dyshohet se kanë përplasur me motor dy të rinj të fisit Ndoka, duke çuar më pas në një konflikt fizik, ku janë përdorur shkopinj bejsbolli dhe sende të forta./ Zoom.al