Aplikacion
Zbardhen detaje të reja nga sulmi me armë zjarri i ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Rrilë të Lezhës, ku një person mbeti i plagosur, ndërsa hetimet po përqendrohen në dyshimet se shënjestra reale mund të ketë qenë dikush tjetër.
I plagosur ka mbetur 30-vjeçari Sokol Daci, pronar i berberhanës ku ndodhi ngjarja, por burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ai dyshohet të mos ketë qenë objektivi i atentatit. Në ambientet e biznesit ndodheshin disa persona, mes tyre edhe një efektiv policie dhe një i afërm i familjes Nikulaj.
Sipas të dhënave paraprake, pista kryesore e hetimit lidhet me dyshimin se autorët synonin një nga nipat e biznesmenit Ardian Nikulaj, i cili u ekzekutua në një atentat në vitin 2023. Dyshohet se edhe personi që mendohet si shënjestër mund të jetë plagosur, ndaj policia po verifikon klinika dhe spitale private për raste të mundshme paraqitjeje me plagë nga armë zjarri.
Nga hetimet rezulton se autorët, të dyshuar tre persona, kanë mbërritur me një automjet dhe njëri prej tyre ka hapur zjarr me armë automatike në drejtim të berberhanës. Në brendësi ndodheshin katër persona, për të cilët po verifikohet nëse ka pasur kundërpërgjigje me armë.
Autorët raportohet se mbanin veshje të errëta dhe janë larguar menjëherë pas sulmit në drejtim të zonave rurale përreth. Një nga dëshmitarët është edhe efektivi i policisë që ndodhej rastësisht në vendngjarje, i cili ka deklaruar se ka qëlluar për të neutralizuar sulmuesit, por pa mundur t’i identifikojë.
Ekspertët e kriminalistikës kanë rikthyer hetimet në vendin e ngjarjes, ku janë sekuestruar prova materiale, përfshirë gjurmë gjaku që do t’i nënshtrohen analizave të ADN-së për të verifikuar nëse i përkasin një personi tjetër të lënduar.
Nga të shtënat janë dëmtuar edhe fasadat e disa bizneseve përballë, por pa pasoja për qytetarët që ndodheshin aty./ Zoom.al