Aplikacion
Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në sistemin e drejtësisë shqiptare, këtë herë në sallën e Gjykatës së Elbasanit, ku një përplasje verbale mes avokatit mbrojtës dhe prokurorit të çështjes ka përfunduar me ndalimin e avokatit Ulian Bajrami, 37 vjeç, banues në Tiranë.
Avokati Bajrami është arrestuar dhe akuzohet për “kanosje për shkak të detyrës”, “kundërshtim të gjyqtarit” dhe “kanosje ndaj prokurorit” gjatë seancës gjyqësore.
Sipas audiopërgjimit të publikuar, tensioni në sallë nisi pas diskutimeve mbi interpretimin e provave filmike në procesin gjyqësor ndaj të pandehurit Maksim Suçi, i arrestuar pak ditë më parë gjatë një aksioni të policisë së Elbasanit për kundërshtim të punonjësit të policisë dhe armëmbajtje pa leje.
Avokati Bajrami kundërshtoi ashpër versionin e prokurorit, duke pretenduar se në pamjet filmike klienti i tij nuk ndodhej në vendin e konfliktit, ndërsa gjatë debatit përdori tone që gjykata i cilësoi si kërcënuese.
Në audioregjistrim dëgjohen këto momente të debatit:
Avokati Bajrami: Do të merrem personalisht edhe me prokurorin, edhe me të gjithë oficerët e policisë. Do të bëj kallëzim.
Gjyqtarja: Avokat nuk funksionon me kërcënim në sallën e gjyqit. Nuk ka rëndësi çfarë bëni ju me këtë të doni jashtë kësaj salle.
Avokati Bajrami: Po konstatoj vepër penale znj. gjyqtare.
Gjyqtarja: Avokat do marr masa në bazë të ato që më lejon kodi i procedurës. Ky lloj kërcënimi me mua si gjyqtare nuk të lejohet. Përqendrohu te mbrojtja që do i bësh të pandehurit tënd, ose do caktoj një avokat tjetër e do të nxjerrë përjashta nëse vazhdon me këtë gjuhë komunikimi. Paralajmërimi i fundit.
Avokati Bajrami: Nga sa pashë, konstatoj pasqyrim të të dhënave të rreme…
Pas përfundimit të seancës, prokurori i çështjes Gjergj Ceka ka bërë kallëzim penal ndaj avokatit, ndërsa policia e Elbasanit e ndaloi të shtunën pasdite për veprat penale të sipërpërmendura./ Zoom.al