Aplikacion
Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë ka reaguar me tone të ashpra pas arrestimit të avokatit Ulian Bajrami, ngjarje që ka hapur debat mbi kufijtë e ushtrimit të detyrës së avokatit në sallën e gjyqit.
Në deklaratën zyrtare, Shoqata dënon me forcë ndalimin e Bajramit menjëherë pas përfundimit të një seance gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit, duke e cilësuar atë si “një shkelje të rëndë të parimeve themelore të shtetit të së drejtës” dhe cenim të pavarësisë së mbrojtjes ligjore.
Sipas shoqatës, avokati është arrestuar vetëm sepse i ka komunikuar prokurorit synimin për të bërë kallëzim penal, pasi dyshonte se përfaqësuesi i akuzës kishte manipuluar provat në dëm të klientit që ai mbronte.
“Ky veprim është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së profesionit të avokatit dhe ndaj të drejtës kushtetuese për mbrojtje efektive”, thuhet në deklaratë.
Shoqata kërkon lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të avokatit Ulian Bajrami, si dhe hetim të plotë, të pavarur dhe transparent për veprimet e autoriteteve përgjegjëse.
“Arrestimi i një avokati për shkak se ai kërkon zbatimin e ligjit është një mesazh frikësues për të gjithë trupën e avokatëve dhe për qytetarët që kërkojnë drejtësi”, theksohet më tej në deklaratë./ Zoom.al