zoom

Aktualitet

Lirimi i avokatit Bajrami, reagon prokuroria

Lirimi i avokatit Bajrami, reagon prokuroria

Prokuroria e Elbasanit ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të avokatit Ulian Barjami, i cili u ndalua një ditë më parë pas një përplasjeje verbale me prokurorin Gjergj Ceka gjatë një seance gjyqësore.

Sipas deklaratës zyrtare, prokurori i çështjes ka vlerësuar se nuk ekzistonin kushtet ligjore për vazhdimin e ndalimit të avokatit, dhe se nuk kishte elementë të një vepre penale.

Në njoftim, Prokuroria thekson rëndësinë e respektimit të pavarësisë dhe sigurisë reciproke mes aktorëve të drejtësisë, prokurorëve, gjyqtarëve, policisë gjyqësore dhe avokatëve, për garantimin e funksionimit të sistemit ligjor.

Arrestimi i Barjamit mbrëmjen e 19 tetorit kishte shkaktuar reagim të menjëhershëm nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, e cila e konsideroi ngjarjen të paprecedentë dhe në shkelje të të drejtës për mbrojtje të barabartë në procesin gjyqësor.

Në shenjë proteste, avokatët në të gjithë vendin bojkotuan seancat penale mëngjesin e 20 tetorit, duke kërkuar lirimin e kolegut të tyre dhe respektimin e rolit të avokatit në sistemin e drejtësisë./ Zoom.al

Postime të lidhura