Aplikacion
Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë ka reaguar pas incidentit të rëndë që ndodhi këtë të premte në ambientet e Gjykatës së Vlorës, ku avokati Redi Llanaj dyshohet se ka dhunuar një punonjës sigurie të institucionit.
Sipas pamjeve dhe dëshmive të para, ngjarja ka ndodhur pas një debati verbal, i cili degjeneroi në përplasje fizike, duke përfunduar me goditjen me grusht të punonjësit të sigurisë nga ana e avokatit.
Në një deklaratë publike, Dhoma Kombëtare e Avokatisë e ka dënuar ashpër incidentin, duke e cilësuar si “të papërshtatshëm dhe të pahijshëm për figurën e një avokati”.
“Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë distancohet nga kjo ngjarje duke e vlerësuar atë të papërshtatshme dhe të pahijshme për figurën e Avokatit. Në të njëjtën kohë ndjejmë keqardhje që ky incident ka ndodhur në ditën e bojkotit të vendosur nga DHASH, pikërisht për të ndalur fenomenin e dhunës ndaj funksionarëve dhe punonjësve në sistemin e drejtësisë”, thuhet në reagim.
Sipas Dhomës, incidenti bie ndesh me parimet e profesionit të avokatit dhe me kodin etik që duhet të udhëheqë çdo përfaqësues të drejtësisë.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka njoftuar se ngjarja do të trajtohet me seriozitet maksimal, dhe se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të shqyrtuar sjelljen e avokatit Llanaj.
“DHASH po e ndjek me shqetësim dhe seriozitet këtë ngjarje dhe do të ndërmarrë të gjitha masat përkatëse për trajtimin disiplinor të rastit”, thuhet më tej në reagim.
Ndërkohë, avokati Redi Llanaj është arrestuar nga policia e Vlorës menjëherë pas ngjarjes dhe pritet të përballet me akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”./ Zoom.al