Aplikacion
Në ambientet e Gjykatës së Vlorës janë shënuar sot dy incidente të njëpasnjëshme, që kanë përfshirë si avokatin Redi Llanaj, përfaqësues ligjor i Monika Kryemadhit, ashtu edhe një qytetar tjetër.
Ngjarja e parë ndodhi në hyrje të godinës së gjykatës, në zonën e kontrollit të sigurisë.
Sipas burimeve, avokati Llanaj është konfliktuar me punonjësin e sigurisë, pasi nuk ka pranuar t’i nënshtrohet procedurës standarde të kalimit përmes detektorëve të metaleve.
Debati verbal ka degjeneruar në përplasje fizike, ku avokati dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj rojës. Ai është shoqëruar menjëherë në komisariatin e Vlorës për të dhënë deklaratën mbi incidentin.
Pak më vonë, në të njëjtën gjykatë, ka ndodhur një tjetër konflikt. Një qytetar 70-vjeçar, pas një debati për motive të dobëta, ka goditur me grusht në fytyrë punonjësin e sigurisë, 65 vjeç.
Policia e Vlorës ka ndërhyrë menjëherë dhe ka arrestuar në flagrancë autorin, i identifikuar si S. H., banues në Vlorë./ Zoom.al