zoom

Të gjitha

Detajet e arratisjes së Edison Pulës/ “Mund të jetë ndihmuar nga Ndrangheta”

Rrethi i ngushtë shoqëror, por edhe ndikimi i grupit mafioz italian “Ndrangheta”, dyshohet se kanë ndihmuar Edison Pulën të arratiset nga burgu i Trevizos.

Kreu i Sindikatës së Policisë së Burgjeve në Itali, pohon se partneriteti mes krimit shqiptar dhe atij italian, është forcuar kohët e fundit.

Ndërkohë, drejtori i burgut të Trevisos, Alberto Quagliotto, ka nisur një hetim të brendshëm për të hedhur dritë mbi arratisjen misterioze të Edison Pulës, 27-vjeçarit të rrezikshëm shqiptar, i cili në të gdhirë të së enjtes arriti të presë hekurat e qelisë dhe të arratiset nga burgu i “Santa Bona”-s, ku ishte i mbyllur që në shkurtin e kaluar, duke u zbritur më pas nga dritarja me një çarçaf.

Plani i arratisjes

Pula iku në 5 të mëngjesit së bashku me një nga dy shokët e tij të qelisë në anën e rrugës “Santa Bona nuova”.

Këtu, një roje arriti të bllokojë dhe të neutralizojë bashkëpunëtorin e Pulës, ndërsa ky i fundit u ngjit mbi murin e jashtëm.

Më pas shqiptari ka vazhduar arratisjen në këmbë dhe me gjasë ka arritur tek një bashkëpunëtor, i cili sipas hipotezave të para e ka shoqëruar në një vendstrehim të sigurt ose në kufirin slloven.

Që nga e enjtja, forcat e policisë janë vënë në gjueti të pandërprerë dhe lajmin e kanë përhapur menjëherë në policinë kufitare dhe atë ndërkombëtare.

Në fakt, plani i arratisjes sigurisht që ishte përgatitur në tavolinë në detajet më të vogla dhe me shumë mjeshtëri (në të kaluarën 27-vjeçari ishte arratisur në të njëjtën mënyrë nga një burg shqiptar).

Çështja tani është të kuptohet se si ishte e mundur që një sharrë e madhe hekuri të hynte në burg, ajo me të cilën Pula preu hekurat.

Dyshimet

I arrestuari ka pasur shumë pak vizita, por ka mundur të organizohet falë telefonatave të shumta të autorizuara dhe video-intervistave me të afërmit.

“Në burg, ka hyrë diçka që nuk duhet të ishte aty, – pranon drejtori Quagliotto, – kështu që është evidente se diçka nuk ka shkuar si duhet”.

Hetuesit përjashtojnë mundësinë që sharra e hekurit mund të jetë sjellë gjatë vizitave nga jashtë.

Ka më shumë gjasa që në muajt e paraburgimit Pula – që kishte plaçkitur shtëpinë milionere vilën e biznesmenit italian të naftës Miotto, në Mogliano – të ketë krijuar një rrjet miqësish dhe mbështetjeje për të marrë atë që i duhej dhe asnjë nuk e përjashton këtë hipotezë.

Madje as që dorëzimi i sharrës së hekurit, mund të jetë bërë nga jashtë qelisë përmes një droni.

Partneriteti

Sigurisht që Pula konsiderohet i rrezikshëm edhe duke pasur parasysh lidhjet e tij të mundshme me krimin e organizuar italian, siç nënvizoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së Policisë së Burgjeve, Aldo Di Giacomo.

Ai ka ngritur një alarm shqetësues për aleancat mes krimit shqiptar dhe organizatës famëkeqe mafioze kalabreze, ‘Ndrangheta’.

Një partneritet që mund të ketë luajtur gjithashtu një rol në këtë histori. “Krimi shqiptar ka qenë prej kohësh aleat në veri me ‘Ndrangheta’-n dhe klanet mafioze për të menaxhuar trafikun e drogës dhe prostitucionin, – shpjegon Di Giacomo për “Corriere della Sera”. – Është urgjente të kuptohet se kush mund ta ndihmojë kriminelin shqiptar të arratiset dhe të fshihet”.

Hetuesit po ndjekin të gjitha pistat, duke vënë në dyshim kontaktet e mundshme të Pulës.

Në fakt, vetëm në dy vitet e fundit, në “Santa Bona” ka pasur rreth dy mijë shqiptarë të burgosur, me një incidencë prej 4% në totalin e të arrestuarve dhe 12% vetëm në atë të të huajve.

“Është pikërisht në burg që shpesh ndërtohen lidhjet e përkatësisë midis klaneve”, – e mbyll Di Giacomo.

Akuzat në Shqipëri dhe Itali

Edison Pula, 27 vjeç, shqiptar, ka mbledhur dënime prej 16 vitesh në Shqipëri për tentativë vrasje, grabitje, mbajtje eksplozivi dhe krime të tjera që lidhen me trafikun e drogës.

Por edhe në Itali nuk ishte më pak. Të hënën ai duhej të ishte paraqitur në gjykatë në Bolzano, pasi akuzohej se kishte kryer rreth pesëdhjetë vjedhje.

Por në fakt nuk është prapa hekurave, përmes një super arratisje nga burgu i Trevizos.

Pula, anëtar i bandës së Niklës, u arrestua në shkurt të këtij viti në qendrën tregtare “Emisfero di Silea”.

Ai ishte pjesë e bandës së grabitjes së shtëpive mes Trevisos dhe Bellunos dhe një nga të dyshuarit kryesorë të grabitjes së vilës së biznesmenit Giancarlo Miotto, në Mogliano Veneto.

Pula, ‘mjeshtër i arratisjes’ ishte i dënuar me burg për vrasje, grabitje dhe trafik droge. Ai konsiderohet “mjeshtër i arratisjeve”, pasi në vitin 2016, u arratis nga qelitë në Komisariatin e Krujës, duke kapërcyer murin rrethues./corriere.it