Aplikacion
Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Nikël, ku një konflikt mes dy fqinjëve përfundoi me humbjen e jetës së njërit prej tyre.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, ngjarja ka përfshirë Eduart Afmatajn dhe Artur Çangun, të cilët prej kohësh kishin mosmarrëveshje të vazhdueshme, kryesisht të lidhura me çështje pronësie që dyshohet se kanë krijuar tension mes familjeve.
Por ditën e djeshme, konflikti është ndezur pas një situate banale. Artur Çangu kishte shkuar pranë banesës së familjes së tij dhe kishte parkuar automjetin në rrugicën e zonës. Kjo ka sjellë reagimin e fqinjit, Eduart Afmataj, i cili ka pretenduar se makina po i pengonte kalimin.
Fillimisht mes tyre ka nisur një debat verbal, por situata është përshkallëzuar shpejt. Përplasja ka kaluar në konflikt fizik dhe më pas është përdorur edhe armë gjahu, ku Afmataj ka qëlluar në drejtim të Çangut.
Si pasojë e plagëve të marra, Artur Çangu ka humbur jetën.
Pas ngjarjes, autori ka njoftuar vetë shërbimet e policisë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes përpara mbërritjes së forcave të rendit.
Policia ka nisur kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e tij./ Zoom.al