Aplikacion
Policia ka arrestuar 33-vjeçarin Eduart Afmataj, i dyshuar për vrasjen e Artur Çangu, krim i ndodhur në Nikël, Fushë-Krujë.
Sipas informacioneve, i riu u kap në vendin e quajtur “Bruz-Mal”, ku ishte fshehur në një banesë të vjetër të braktisur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 10 prillit në fshatin Viron. Hetimet paraprake tregojnë se mes autorit të dyshuar dhe viktimës kishte konflikte të vazhdueshme prej rreth dy vitesh, kryesisht të lidhura me çështje pronësie.
Sipas dinamikës së deritanishme, konflikti dyshohet se është ndezur pasi 41-vjeçari Artur Çangu kishte shkuar në banesën e prindërve dhe kishte parkuar automjetin pranë saj, duke u bërë shkak për reagimin e menjëhershëm të Afmatajt, i cili pretendonte se i bllokohej rruga.
Debati mes tyre ka degjeneruar në përplasje fizike, ndërsa në një moment Afmataj ka marrë një armë gjahu tip “çifte” dhe ka qëlluar ndaj Çangut, duke e lënë të vdekur në vend.
Dyshohet gjithashtu se të dy kishin lidhje familjare, pasi Afmataj ishte i lidhur përmes krushqisë me familjen e viktimës. Konflikti, sipas burimeve hetimore, mund të jetë përshkallëzuar edhe pas një përplasjeje të mëparshme mes fëmijëve të tyre.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar fillimisht ka njoftuar vetë policinë dhe më pas është larguar nga vendi i krimit, duke u shpallur në kërkim deri në momentin e arrestimit në Qafë Shtamë.