Aplikacion
Zbardhen detaje të reja nga krimi i ndodhur mëngjesin e sotëm në Volos të Greqisë, ku një 40-vjeçar shqiptar vrau bashkëshorten e tij, 36 vjeçe.
Çifti kishte 4 fëmijë së bashku. Në momentin që 40-vjeçari goditi me thikë për vdekje bashkëshorten, të katër fëmijët kanë qenë në shtëpi dhe kanë dëshmuar vrasjen e nënës.
Vajza e tyre 16-vjeçare e tmerruar njoftoi policinë dhe ambulancën, pasi pa nënën e saj të mbuluar me gjak.
“E pashë babain duke e vrarë nënën me thikë”, është shprehur ajo.
Fëmijët kanë treguar se çifti kishte konflikte të vazhdueshme dhe grindje të shpeshta. Sipas dëshmive, xhelozia e burrit ishte një nga shkaqet kryesore të tensioneve mes tyre.
Sipas mediave lokale, pas krimit, shqiptari u largua me vrap në drejtim të panjohur. Policia ka rrethuar zonën dhe po vijon kërkimet për kapjen e tij.
Viktima, 36-vjeçarja Nicoletta M., u sulmua fillimisht me thikë dhe më pas u përplas me xhamin e hyrjes së pallatit, duke pësuar plagë fatale. Ajo ndërroi jetë si pasojë e gjakderdhjes./ Zoom.al