Aplikacion
Të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me vetëvrasjen e 25-vjeçares Xhuana Nikolli, duke konsumuar fostoksinë.
Sipas informacioneve nga grupi hetimor, e reja ka shkruar një letër para se të kryente aktin. Në të, ajo shprehej se nuk dëshironte të vazhdonte të lëndohej nga personat që i kishin bërë keq. Në fund të mesazhit ajo u kishte kërkuar ndjesë prindërve të saj.
Sipas informacioneve paraprake, familjarët e të resë kanë bërë kallëzim në Komisariatin nr. 2 ndaj ish-bashkëshortit të saj, Eraldo Fizi, duke e akuzuar për dhunë fizike ndaj 25-vjeçares. Ndërkohë, policia e ka shpallur atë në kërkim.
Nga të dhënat e deritanishme rezulton se Fizi ishte kthyer në Shqipëri nga jashtë vendit më 9 shkurt. Po atë ditë ai dyshohet se ka takuar ish-bashkëshorten e tij, me të cilën ishte divorcuar vetëm tre muaj pas martesës së tyre, të zhvilluar në qershor të vitit 2025. Sipas familjarëve, gjatë këtij takimi ai dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj.
Pas ngjarjes, autoritetet kanë kryer këqyrjen e trupit të pajetë të 25-vjeçares, ku sipas burimeve janë konstatuar shenja dhune në pjesën e kokës, fytyrës dhe në njërin krah. Familjarët pretendojnë se ajo ishte dhunuar nga ish-partneri./ Zoom.al