Aplikacion
Zbardhen detaje të reja nga ekspertiza mjeko-ligjore lidhur me vdekjen e 25-vjeçares Xhuana Nikollaj, e cila humbi jetën pasi dyshohet se konsumoi fostoksinë në banesën e saj me qira në Tiranë. Fillimisht ngjarja u raportua si një akt vetëvrasjeje, por rezultatet e autopsisë kanë hedhur dritë mbi rrethana të tjera që po hetohen nga autoritetet.
Sipas burimeve pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, në trupin e pajetë të të resë janë konstatuar shenja dhune fizike. Po ashtu, nga ekzaminimet mjekësore është përjashtuar mundësia që ajo të ketë qenë shtatzënë.
Pas këtyre zhvillimeve, organet e drejtësisë kanë shpallur në kërkim ish-bashkëshortin e saj, Eraldo Fizi, i cili dyshohet si person i përfshirë në ngjarje. Ai po hetohet për veprat penale “dhunë në familje” dhe “shkaktim i vetëvrasjes”, pasi dyshohet se konfliktet dhe presioni i vazhdueshëm mund të kenë ndikuar në vendimin e 25-vjeçares për të kryer aktin ekstrem.
Mësohet se Xhuana jetonte e vetme pas ndarjes nga bashkëshorti. Ajo kishte lënë edhe një letër për familjarët, ku u kërkonte ndjesë prindërve dhe shprehte dhimbjen për situatën që po përjetonte.
Ndërkohë, policia vijon kërkimet për kapjen e të dyshuarit, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike