zoom

Aktualitet

I dha fund jetës me fostoksinë/ Babai i Xhuana Nikollit hedh akuza ndaj ish-bashkëshortit: Nofullën e ka me shenja, ndoshta i dha helm

I dha fund jetës me fostoksinë/ Babai i Xhuana Nikollit hedh akuza ndaj ish-bashkëshortit: Nofullën e ka me shenja, ndoshta i dha helm

Të afërmit e Xhuana Nikollit kërkojnë me ngulm që institucionet shtetërore të zbardhin ngjarjen dhe të vendosin drejtësi për vajzën e tyre.

Në një prononcim për mediat, familjarët i bëjnë thirrje autoriteteve që të përshpejtojnë hetimet dhe të lokalizojnë ish-bashkëshortin e Xhuanës, i cili është shpallur në kërkim. Sipas tyre, ai mund të ketë pasur rol në ngjarjen e rëndë, duke shtuar dyshimet se mund ta ketë shtyrë drejt një akti ekstrem.

Babai i të ndjerës ka rrëfyer se në trupin e vajzës janë vërejtur shenja që ngjallin dyshime për dhunë fizike.

“Dhimbjen e kam të madhe, i bëj apel institucioneve që të vënë dorën në zemër dhe të vënë drejtësi për atë krim që ka bërë ai kriminel dhe të kapet sa më parë. Vajza ime s’i ka pasur asnjë borxh. Kushdo që e sheh ta denoncojnë dhe ta çojnë para drejtësisë.

Ekspertët të marrin dhe të hapin telefonin e vajzës time. Ditën kur tërhoqëm nga morgut trupin, ka pasur shenja në nofull, trup, krah, gjithkund, e ka bërë sikur të ishte egërsirë. Kërkoj të dënohet sa më shumë…. Nofullën e ka me shenja, ndoshta dhe i ka dhënë me zor helmin. Nuk e dimë”, tha babai i saj.

Ai përmend veçanërisht dëmtime në nofull, krahë dhe pjesë të tjera të trupit, të cilat sipas tij nuk mund të anashkalohen. Po ashtu, familja shpreh shqetësim për faktin që telefoni i saj ende nuk është analizuar, duke e konsideruar atë një provë kyçe për zbardhjen e së vërtetës.

Mes lotësh, babai apelon që drejtësia të veprojë pa vonesa dhe përgjegjësi të vihet mbi personin që mund të ketë lidhje me ngjarjen. Ai thekson se vajza e tij nuk kishte konflikte apo borxhe dhe kërkon që kushdo që ka informacion të ndihmojë autoritetet.

Edhe motra e Xhuanës kërkon që ish-bashkëshorti të arrestohet dhe të japë shpjegime për atë që ka ndodhur, duke ngritur dyshime se ndaj saj është ushtruar dhunë para se të ndërronte jetë.

25-vjeçarja Xhuana Nikollaj humbi jetën pasi dyshohet se konsumoi fostoksinë në banesën e saj me qira në Tiranë. Fillimisht ngjarja u raportua si një akt vetëvrasjeje, por rezultatet e autopsisë kanë hedhur dritë mbi rrethana të tjera që po hetohen nga autoritetet.

Sipas burimeve pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, në trupin e pajetë të të resë janë konstatuar shenja dhune fizike. Po ashtu, nga ekzaminimet mjekësore është përjashtuar mundësia që ajo të ketë qenë shtatzënë./ Zoom.al

Postime të lidhura