Aplikacion
Deputetët e Partisë Demokratike janë paraqitur këtë të premte, më 26 dhjetor, në ambientet e Këshillit të Imunitetit dhe të Mandateve, por kanë gjetur derën e sallës së mbledhjes të mbyllur.
Pesë anëtarët demokratë të këtij këshilli kishin kërkuar zhvillimin e mbledhjes në orën 11:00, me qëllim shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, deputete dhe ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë.
Sipas opozitës, kërkesa i ishte drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, por kur deputetët u paraqitën në sallën e Këshillit të Mandateve, ajo ishte e mbyllur.
Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një prononcim për mediat, akuzoi drejtuesit e Kuvendit se kanë mbyllur të gjitha sallat e mbledhjeve në kryesinë e Kuvendit dhe kanë penguar deputetët e opozitës të komunikojnë me mediat edhe në ambientet e grupit parlamentar.
Bardhi deklaroi se një situatë e tillë nuk ka ndodhur më parë, madje u shpreh se Kuvendi është shndërruar në një “bunker”.
“Jo vetëm ka mbyllur çdo sallë mbledhjeje në kryesinë e Kuvendit, por pengoi deputetët e opozitës që në sallën e tyre të grupit të kishin mundësi të komunikonin me mediat. Nuk ka ndodhur që nga kryesia e Kuvendit të shndërrohet në bunkerin e Belinda Ballukut. Sot Kuvendi është bunkeri i Belinda Ballukut, ku mendojnë se do të pengojnë drejtësinë të bëjë detyrën e saj. E kanë shumë gabim. Më së pari kryetari i Kuvendit që kthehet në zyrtarin e dytë të lartë të vendit, që e ka shndërruar zyrën e tij në zyrë avokatie për të pandehurën Belinda Balliku, duke zvarritur një kërkesë të ngutshme të Prokurorisë”., tha Bardhi.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar pak ditë më parë se Kuvendi nuk do ta shqyrtojë kërkesën e SPAK-ut pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese.
Opozita, ndërkohë, këmbëngul se një afat prej një jave është i mjaftueshëm për shqyrtimin e kërkesës. Më 23 dhjetor, pavarësisht mungesës së mazhorancës, deputetët demokratë u mblodhën në mënyrë simbolike në Këshillin e Mandateve, ku zunë vendet e tyre dhe akuzuan socialistët se po pengojnë drejtësinë në lidhje me çështjen e Belinda Ballukut.
Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit është organi parlamentar që shqyrton kërkesat e prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë me mandat parlamentar.
Procedura përfshin dëgjesa, raportim dhe më pas votim në seancë plenare.