zoom

Aktualitet

Dëmtohet Rruga e Arbrit, çarje dhe shtypje në shtresën asfaltike

Dëmtohet Rruga e Arbrit, çarje dhe shtypje në shtresën asfaltike

Rruga e Arbrit rrezikon shembje në segmentin e Xibrit, ku pavarësisht ndërhyrjeve të përsëritura nga tuneli i Shkallës deri te tuneli i Murrizit, problemet vijojnë të mbeten dhe madje janë përkeqësuar.

Në zonën pranë tunelit të Murrizit, trasesë së rrugës i është shkaktuar një deformim i dukshëm në pjesën e poshtme, duke krijuar disnivel që ndjehet qartë nga drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë nga Tirana drejt Qarkut Dibër.

Çarjet dhe shtypjet në asfalt po bëhen gjithnjë e më të rrezikshme, ndërsa specialistët paralajmërojnë se reshjet e shiut pritet të përkeqësojnë situatën, pasi uji depërton në çarje dhe dëmton më tej karrexhatën.

Rruga e Arbrit që lidh Tiranën me Dibrën përfundoi në mars 2025 ku i pranishëm në ceremoni ishin Edi Rama dhe Belinda Balluku, tashmë e marrë e pandehur për abuzim me tendera.

Aksi ishte planifikuar që të përfundonte në prill 2022, por ministria e zgjati fillimisht me 17 muaj afatin për kompaninë koncesionare “Gjoka 87” për përfundimin e punimeve.

Pas skadimit të afatit të ri, tuneli i Murrizit është ende larg së përfunduari. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, shtyrja u përllogarit nga një inxhinier i pavarur dhe “nuk do të ketë implikime financiare për Autoritetin Kontraktor”.

Ndërtimi i rrugës prej 54 kilometrash që lidh Tiranën me Dibrën filloi në vitin 2018, pasi kompania “Gjoka Konstruksion” fitoi koncesionin me ofertën prej 33.6 miliardë lekësh. Deri në qershor të këtij viti, kompania mori pagesa me vlerë 13.4 miliardë lekë.

Projekti parashikoi ndërtimin e një rruge me dy korsi, e cila kalon në një seri me gjashtë tunele dhe dy ura të larta. Por vepra kryesore e projektit, tuneli i Qafës së Murrizit, 3.8 kilometra i gjatë, u zëvendësua nga një rrugë e ngushtë malore 8.8 kilometra.

Problemet e hasura me hapjen e këtij tuneli janë përdorur si justifikim i ministrisë për zgjatjen e kësaj kontrate 2 herë me 37 muaj në total.

Ndërtimi i rrugës së Arbrit u përdorur nga kryeministri Edi Rama si një premtim elektoral për zonën e Dibrës që prej vitit 2013.  

Ai e inaguroi me bujë përfundimin e rrugës para zgjedhjeve të prillit 2021, duke premtuar se bashkë me tunelin e Murrizit rruga do të dorëzohej në prill 2022.

Postime të lidhura