Aplikacion
Strategu amerikan i fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Chris LaCivita, ishte i pranishëm në takimin përmbyllës të kësaj force politike, ku mbajti një fjalim entuziast përpara mbështetësve të PD-së.
LaCivita u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të votojnë për liderin historik të demokratëve, Dr. Sali Berisha, duke e cilësuar atë si njeriun që “do të shpëtojë të ardhmen e Shqipërisë”.
“Gjithnjë habitem se sa e madhe është gjithë kjo turmë. Faleminderit Shqipëri, faleminderit për mbështetjen tënde, që ndan të ardhmen dhe shpresat tua,” tha ai, duke theksuar se vendi ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm, jo vetëm për qytetarët por edhe për rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Duke kritikuar qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, LaCivita tha se korrupsioni dhe vështirësitë ekonomike kanë shkatërruar jetën e qytetarëve. “Gjithçka që përkufizon lumturinë tuaj, Edi Rama ua ka marrë. Por ju keni tani një shans historik, një shans që të tregoni se populli shqiptar refuzon politikën e të kaluarës,” u shpreh strategu amerikan.
Në vijim, ai theksoi se Dr. Berisha është një figurë që ka shpëtuar jetë dhe se qytetarët duhet t’i besojnë atij për të shpëtuar ekonominë dhe të ardhmen e vendit. “Përse të mos e vendosni besimin tuaj tek një mjek që do të shpëtojë të ardhmen e Shqipërisë?” u shpreh ai, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në votime.
LaCivita e mbylli fjalimin me një mesazh për të gjithë shqiptarët: “Bota i ka sytë në këto zgjedhje. Votoni për të ardhmen tuaj, votoni për mbështetjen tuaj dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë!”