Aplikacion
Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka komentuar çështjen e inceneratorëve, një dosje që ka ndezur debatet politike dhe publike për vite me radhë dhe që ka çuar në ngritjen e akuzave konkrete dhe dënime nga drejtësia.
Sipas Ramës, plani për inceneratorët ka qenë i duhur dhe legjitim, ndërsa problematika ka lindur nga individë të veçantë që kanë përfituar përmes korrupsionit. “Te inceneratorët, projekti është i duhuri, plani është legjitim. Dhe pikërisht pse brenda procesit ka pasur individë që kanë nxjerrë përfitime të tyre, ka dhe pjesën që lidhet me korrupsionin,” u shpreh Rama.
Ai theksoi se për inceneratorin e Tiranës nuk është paguar asgjë për ndërtimin, ndërsa dy projektet e tjera – sipas tij – janë realizuar me investime private. “Shteti ka paguar periodikisht për shërbimin, dhe sot i ka marrë në pronësi,” shtoi ai.
Sa i përket zyrtarëve të akuzuar dhe dënuar, kreu i qeverisë e konsideroi këtë si një rezultat të Reformës në Drejtësi. Megjithatë, ai kritikoi mënyrën si është trajtuar kjo çështje në media. “Kjo që burgjet janë mbushur plot është rezultat i gijotinave mediatike dhe i faktit që 95% e debateve merren me këtë temë. Ndërkohë që e vërteta është ndryshe,” tha Rama, duke nënvizuar se reforma synon një drejtësi të paanshme, që godet “majtas dhe djathtas”.