Aplikacion
Një hetim i gjerë i Prokurorisë së Fierit ka nxjerrë në dritë një nga skemat më të mëdha të evazionit fiskal në historinë ekonomike të Shqipërisë.
Kompania Bankers Petroleum, e cila ka operuar për rreth dy dekada në vend, dyshohet se ka përfituar rreth 5.5 miliardë euro nga shitja e naftës, ndërkohë që ka shmangur pagesën e detyrimeve tatimore nëpërmjet faturimeve fiktive dhe fryrjes së shpenzimeve.
Sipas hetimit, Bankers ka raportuar humbje në vlerën e 117 milionë eurove, duke justifikuar kështu mos pagesën e tatim-fitimit ndër vite. Megjithatë, në të njëjtën kohë, kompania ka përfituar miliona euro në formën e rimbursimeve të TVSH-së, duke e dëmtuar drejtpërdrejt buxhetin e shtetit shqiptar.
Prokuroria ka dokumentuar një skemë të mirëorganizuar mashtrimi, në të cilën janë përfshirë drejtues të huaj të Bankers, si dhe bashkëpunëtorë shqiptarë, në koordinim me zyrtarë të qeverive të ndryshme. Një emër i rëndësishëm në këtë rrjet është Behar Çukaj, pronar i kompanisë Bolv Oil, i cili dyshohet se ka përfituar dhjetëra milionë euro përmes kontratave të dyshimta me Bankers, përpara se t’i investonte ato në sektorin e ndërtimit dhe aktivitete të tjera.
Vetëm gjatë vitit 2011, kompania Bolv Oil përfitoi mbi 10 milionë euro, ndërsa kompania Albstar, e drejtuar nga biznesmeni Idajet Ismailaj, përfitoi 22 milionë euro në kuadër të të njëjtës skemë. Ismailaj është një nga emrat më të lakuar në aferat e pastrimit të parave, vjedhjes me tendera dhe ndërtimit në zona të mbrojtura.
Një auditim i kryer nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) për vitin 2011 evidentoi se shpenzimet e deklaruara nga Bankers ishin kryesisht të parregullta. Në raportin e auditimit thuhet se kompania duhet të kishte derdhur në buxhet rreth 60 milionë dollarë tatim fitimi, por përmes manipulimit të bilanceve dhe deklarimit të shpenzimeve të fryra – me një vlerë totale prej 247 milionë dollarësh – i shpëtoi kësaj detyrimi ligjor.

Behar Çukaj dhe pastrimi i parave në ndërtim
Hetimi shtrihet përtej industrisë së hidrokarbureve, duke përfshirë edhe investimet e Behar Çukajt në ndërtim, të financuara nga të ardhurat e dyshuara kriminale. Një pjesë e këtyre parave është përdorur për ndërtimin e kompleksit luksoz të vilave “Tulipan” në zonën e Farkës, në një sipërfaqe të gjerë toke që dyshohet se është përfituar në mënyrë të paligjshme.
Kompleksi “Tulipan”, sipas hetimeve, është shndërruar në një kanal pastrimi për paratë e korrupsionit, kontrabandës dhe trafikut të drogës, me një pjesë të vilave të blera nga politikanë të korruptuar, drejtues të administratës dhe eksponentë të krimit të organizuar.
Në vitin 2019, Behar Çukaj krijoi kompaninë B & O Construction, me administrator Zaho Jaçajn, ish-drejtor i Tatimeve në Fier. Ky i fundit dyshohet se ka fshirë mbi 5 milionë euro detyrime tatimore për aktivitetin e importit dhe tregtimit të karburanteve të Çukajt.
Në të njëjtën periudhë, Çukaj – i skeduar edhe si kontrabandist nafte dhe falsifikator cilësie – i vuri syrin një tjetër parcelë prej 50 mijë m² në Mjull Bathore, ku nisi ndërtimin e mëtejshëm të vilave, pavarësisht se prona është subjekt denoncimesh për tjetërsim me dokumente të falsifikuara dhe zhdukje të qëllimshme dokumentacioni.

Dyshime për ndërtim pa leje dhe financim të dyshimtë
Edhe pse kompanitë e Çukajt kanë një kapital total më të vogël se 9 milionë euro, vlera e investimit për kompleksin “Tulipan” shkon në rreth 90 milionë euro, duke ngritur dyshime të forta për përfshirje në një operacion masiv pastrimi parash.
Përveç 50 mijë metrave katrorë, Çukaj ka përvetësuar edhe 35 mijë m² të tjera, ku ka aplikuar për ndërtim vilash për klientë të lidhur me botën e krimit, ish-deputetë, ministra, trafikantë droge dhe figura të larta të korrupsionit. Dokumentet e pronësisë për këtë sipërfaqe janë falsifikuar, sipas një dosjeje të vitit 2011 të Prokurorisë, ku janë dënuar disa individë përgjegjës për manipulimin e pronave publike në zonën e Farkës.
Për të shmangur ndërhyrjen e drejtësisë, Behar Çukaj dyshohet se ka intensifikuar ndërtimet pa leje, me qëllimin për t’i përfunduar ato sa më shpejt përpara se të ndërhyjnë organet e drejtësisë, përfshirë SPAK-un.

Përfitime nga tenderat publikë
Ironikisht, djali i Behar Çukajt, Olsi Çukaj, është parë shpesh në protestat politike përballë kryeministrisë, si pjesë e fushatës kundër qeverisë së Edi Ramës. Në vitin 2017, ai ishte kandidat për deputet i Partisë Demokratike në Fier, ndërkohë që i ati, përveç përfshirjes në aferën Bankers, përfitonte miliona euro nga tendera publikë përmes kompanive të tij.
Vetëm përmes kompanisë Olsi shpk, Çukaj ka përfituar rreth 20 milionë euro tendera, ndërsa përmes Bolv Oil mbi 10 milionë euro të tjera. Gjithashtu, një sërë tenderash i janë dhënë përmes kompanisë Autovizion, e cila rezulton e kamufluar nën emrin e Bolv Oil.
Ky hetim i Prokurorisë së Fierit, që përfshin evazion fiskal, pastrim parash, ndërtim të paligjshëm dhe përvetësim pronash, përbën një nga rastet më të rënda të korrupsionit ekonomik dhe abuzimit me pasuritë publike në Shqipëri. Hetimet janë në vazhdim dhe pritet që lista e të përfshirëve dhe pasojat ligjore të zgjerohet edhe më tej në ditët në vijim.
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit