Aplikacion
Një nga kompanitë më të mëdha të nxjerrjes së naftës në vend, “Bankers Petroleum”, është vënë në qendër të një hetimi penal për evazion të përmasave të mëdha.
Autoritetet bëjnë me dije se kjo kompani, gjatë gjithë periudhës nga viti 2004 deri në vitin 2024, ka raportuar humbje të vazhdueshme, pavarësisht të ardhurave të mëdha nga shitjet dhe eksportet e naftës bruto.
Pas aksionit të policisë një ditë më parë në ambientet e Bankers, juristi Ylli Manjani ka deklaruar në emisionin “Now” në Euronews Albania se hetimet tatimore ndaj kompanisë “Bankers Petroleum” kanë ndodhur edhe në të kaluarën, por për arsye të ndryshme nuk janë përmbyllur.
Manjani kujtoi një rast të bujshëm nga viti 2017, kur ish-kryeprokurori Adriatik Llalla deklaroi se ishte vënë nën presion diplomatik për të ndalur një hetim të nisur nga Prokuroria e Fierit ndaj Bankers.
“Sherri për Bankers i ka ngrënë kokën Adriatik Llalës. Në 2017, Llalla denoncoi një debat me ambasadorin amerikan Donald Lu, i cili i kishte kërkuar të mbyllte hetimin sepse kishte interes për SHBA. Madje, në atë kohë përflitej se Soros kishte interes të blinte aksione në Bankers”, tha Manjani.
Operacioni i ndërmarrë së fundmi çoi në arrestimin e disa zyrtarëve të kompanisë, përfshirë drejtorin ekzekutiv të saj, shtetasin kinez Hongping Xiao, dhe ish-drejtorin Leonidha Çobe.
Ndaj tyre dhe personave të tjerë rëndojnë akuza të rënda si: falsifikimi i dokumenteve tatimore, fshehja e të ardhurave, pastrimi i parave, dhe shpërdorimi i detyrës./ Zoom.al