zoom

Aktualitet

SKEMA/ Si “Bankers”mashtroi shtetin shqiptar për 20 vite

SKEMA/ Si “Bankers”mashtroi shtetin shqiptar për 20 vite

Prokuroria Fier ka treguar skemën abuzive të shoqërisë “Bankers Petroleum Albania”, nëpërmjet të cilës kjo kompani ka arritur të mashtrojë shtetin shqiptar për 20 vjet me radhë, duke shmangur pagesën e taksave që arrin në shuma marramendëse.

Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier.

Hetimet e prokurorisë dhe Hetimit Tatimor zbuluan se shoqëria “Bankers Petroleum Albania” ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë ose 5.4 miliardë euro.

Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë ose 119 milionë euro. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.

Vite më parë, Bankers dakordësoi me qeverinë shqiptare, për shkak të natyrës komplekse të projektit, që nuk do të paguante taksa kur pësonte humbje neto apo ajo që njihet si BEP, kur të ardhurat dhe shpenzimet janë njësoj. Kështu, Prokuroia sqaron se shoqëria ka rritur fiktivisht shpenzimet e saj për të mos paguar tatim-fitimin, që sipas së njëjtës kontratë do të ishte 50%.

“Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpezimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmejt skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme. Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë”, thuhet në dokument.

Prokuroria njofton se ka lëshuar 14 masa sigurie për “Bankers Petroleum Albania Ltd” ku nëntë prej tyre ekzekutohen, ndërsa pesë janë të shpallur në kërkim. Mes të arrestuarve janë CEO aktual i kompanisë (një shtetas kinez) dhe ish -CEO Leonidha Çobo. /Zoom.al

Postime të lidhura