zoom

Aktualitet

Skenar për të përzënë “Bankers Petroleum”? Berisha zbardh prapaskenat

Skenar për të përzënë “Bankers Petroleum”? Berisha zbardh prapaskenat

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë “Rama” për një skenar të qëllimshëm që synon largimin e kompanisë “Bankers Petroleum” nga Shqipëria.

Në një konferencë për shtyp nga selia blu, ish-kryeministri tha se pas arrestimeve të fundit të zyrtarëve të kompanisë qëndrojnë interesa të errëta të kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Berisha mohoi kategorikisht pretendimet e Prokurorisë së Fierit, e cila deklaroi se Bankers nuk ka paguar asnjë taksë apo detyrim financiar për 20 vite. “Ky është një mashtrim publik nga një prokuror i inkriminuar dhe politik”, tha Berisha.

Ai theksoi se kompania ka paguar ndër vite rreth 500-600 milionë euro vetëm në rentë ndaj shtetit shqiptar, si dhe 200-300 milionë euro të tjera për koncesionin ndaj Albpetrolit.

“Bankers ka paguar gjithçka që kontrata e parashikon. Ka paguar sigurimet shoqërore për 1,500 punonjës, ka paguar taksën e karbonit, ka respektuar detyrimet për dorëzimin e përqindjes së naftës ndaj Albpetrolit”, deklaroi Berisha, duke shtuar se të gjitha këto janë dokumente të verifikueshme.

Sipas tij, arrestimet dhe hetimet janë një mënyrë për të ushtruar presion ndaj kompanisë me qëllim për ta larguar nga tregu shqiptar dhe për t’ia dorëzuar fushën naftëmbajtëse Patos-Marinzë klientelës së qeverisë.

Pjesë nga fjala e Sali Berishës:

Konstatoj se para dy ditësh, tre ditësh, mediat, të dezinformuara në mënyrë kriminale nga prokurori politik i Fierit, i cili në komunikatë thoshte se nuk ka paguar në 20 vite asnjë taksë, asnjë detyrim, me të drejtë filluan të flasin për qeverinë e kryesuar nga Sali Berisha dhe qeverinë e mëvonshme. Sepse kishin përpara një mashtrim publik të një prokurori pa dinjitet. Të inkriminuar. Pse e them këtë? Sepse kontrata e Bankers Petroleum është firmosur jo nga qeveria jonë, është firmosur nga qeveria e Fatos Nanos, e cila pasi është firmosur kontrata me kushtet që ne nuk do ta firmosnim, është vendosur edhe një klauzolë në të cilën thuhet, neni 18 i kontratës, se nuk mund të bëhet asnjë ndryshim në këtë kontratë pa miratimin e dy palëve. Ky nen quhet neni i stabilitetit të kontratave, përndryshe kontrata çdo muaj rrëzohet. Ne, çfarë bëmë?

Kompania kishte fushën më të madhe të naftës në Europë. Fusha më e madhe naftëmbajtëse, jo në det, por në tokë, është Patos Marinzë, e cila me përllogaritjet e asaj kohe, besohet se ka 6 miliardë fuçi, por do metoda më të veçanta për t’u nxjerrë. Pra ka një kosto pak më të lartë për t’u nxjerrë. Ne, duke ndjekur kontratën, ne vendosëm të vendosim rentën. Renta, dhe këtu e kam vendimin e Këshillit të Ministrave, ndaj dhe të thuash se edhe qeveria- pastaj bën mashtrime, renta ishte 10 përqind e shitjeve të përgjithshme, shumë më e madhe se tatim fitimi pra. Me këtë taksë, të cilën e pranoi kompania, nuk shkoi në arbitrazh, mund të shkonte, mund ta fitonte, por nuk shkoi, ajo ka paguar gjatë periudhës që kemi qenë ne në pushtet, mbi 500-600 milionë euro vetëm rentë. Ka paguar pagesën koncesionere për Albpetrolin. Një përqindje e naftës që nxjerr, kompania është e detyruar t’ia dorëzojë Albetrolit. E ka paguar rregullisht. Në tërësi në të gjitha vitet mund të shkojë në 200-300 milionë euro.

Përveç këtyre, tatimet tona vendosën të tatojnë holluesin në hyrje dhe në dalje, që më për mua ishte e padrejtë sepse kjo sasi nafte mund të trajtohej në hyrje, por jo në dalje, sepse e taton dy herë. Por unë nuk kam ndërhyrë, edhe pse atëherë dhe sot kam pasur këtë mendim. Po ata duhet ta zgjidhnin me gjykatë dhe jo me kryeministrin. Se ishte një problem që po u ndërhyri kryeministri tatimeve, ato nuk bëjnë më, i shkatërron. Kanë paguar sigurime shoqërore për 1500 punëtorë, përveç rrogave. Kanë paguar taksën e karbonit. Refuzuan njëherë, por u detyruan ta paguajnë. Po si mund të thuash atëherë në këtë mënyrë? Këto tregojnë se dikush i ka vënë syrin, ka bërë pazaret. Lubia, kush tjetër? Rama me Lubinë janë këtu, nuk mund ta bëjë kush tjetër, nuk guxon kush tjetër. Kanë gjetur mekanizmat për t’i përzënë dhe për t’ia dhënë atyre që duan, për ta marrë për vete. Nuk mund të them se çfarë ndodh këtu./ Zoom.al

Postime të lidhura