zoom

Lajme

Berisha shtyn “revolucionin” për në janar: Sheshi do të jetë i yni çdo natë

Berisha shtyn “revolucionin” për në janar: Sheshi do të jetë i yni çdo natë

Pas protestës së parë kombëtare të mbajtur më 22 dhjetor, Partia Demokratike ka vendosur të shtyjë për në muajin janar aksionin e saj të paralajmëruar për rrëzimin e qeverisë.

Festat e fundvitit kanë ndikuar në ndryshimin e kalendarit të protestave, por opozita garanton se me nisjen e vitit të ri do të rikthehet me një angazhim më intensiv në sheshe.

Gjatë një takimi me mbështetësit në Manëz të Durrësit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se largimi i kryeministrit Edi Rama mund të realizohet vetëm përmes presionit qytetar dhe protestave paqësore. Ai theksoi se opozita synon të jetë e pranishme çdo natë në shesh, deri në arritjen e qëllimit të saj politik.

Berisha u bëri thirrje simpatizantëve që të angazhohen në një qëndresë të vazhdueshme, duke nënvizuar se rruga e dhunës nuk është zgjidhje, por forca e qytetarëve dhe mbajtja e shesheve janë mjeti kryesor për ndryshim. Sipas tij, protesta do të jetë e organizuar dhe e pandërprerë, duke e detyruar qeverinë të largohet.

“Tani duhet të betohemi, ditën e caktuar të zëmë sheshin dhe t’i rikthehemi sheshit çdo natë gjersa të përzëmë atë. Të mos mendojmë se rruga është dhuna, jo. Rruga është qëndresa jonë, sheshet. Sheshi duhet të jetë i yni dhe Edi Rama ikën si mi. Nuk mund të qëndrojë aty. Pra, hyjmë në vitin 2026 me një mision, si misionarë, si fatmëdhenj që kemi mundësi të përmbysim një diktaturë të dytë në Shqipëri.

Dhe unë jam i bindur se populli opozitar, populli i Manzës, i Durrësit e i gjithë Shqipërisë, do të jetë në lartësinë e këtij misioni. Lartësinë e shpëtimit të Shqipërisë, të shpëtimit të opozitës, të shpëtimit të kombit shqiptar, që po rrokulliset në mënyrën më të keqe.

Edhe një herë, gëzuar festat dhe lartësinë e misionit tonë. Janari, nisim betejën tonë gjer në fitore”, tha Berisha./ Zoom.al

Postime të lidhura