Aplikacion
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me kryetarët e degëve të PD-së nga e gjithë Shqipëria, në kuadër të përgatitjeve për protestën e thirrur më 24 janar.
Mbledhja u fokusua në organizimin dhe mobilizimin e strukturave partiake për atë që opozita e konsideron një moment kyç politik.
Gjatë fjalës së tij, Berisha e cilësoi vitin 2026 si një periudhë vendimtare për të ardhmen e vendit dhe të opozitës, duke theksuar se sfidat që po përballen janë më të mëdhatë në historinë politike të Partisë Demokratike.
Sipas tij, protesta e 24 janarit përfaqëson një test të rëndësishëm për rezistencën dhe angazhimin opozitar.
Berisha deklaroi se opozita ka arritur të sjellë në vëmendjen e opinionit publik dhe ndërkombëtar, sipas tij, problematikat serioze të qeverisjes aktuale, duke përmendur atë që e cilësoi si përqendrim antikushtetues të pushtetit nga kryeministri Edi Rama. Ai theksoi se këto shqetësime janë reflektuar edhe në disa rezoluta të miratuara nga forca politike dhe institucione ndërkombëtare gjatë muajve të fundit.
Kreu i PD-së u shpreh se këto zhvillime janë rezultat i një përpjekjeje të vazhdueshme të opozitës, e cila, sipas tij, ka arritur të denoncojë atë që e konsideron si cenim të pluralizmit dhe procesit zgjedhor në vend. Ai u bëri thirrje strukturave të partisë që protesta e 24 janarit të organizohet me përkushtim maksimal dhe pjesëmarrje të gjerë.
Takimi u mbyll me porosi konkrete për drejtuesit lokalë të PD-së, të cilëve Berisha u kërkoi angazhim të plotë për mobilizimin e anëtarësisë dhe mbështetësve opozitarë në ditën e protestës./ Zoom.al